Zgjedhjet në SHBA, Kolegji Zgjedhor konfirmon fitoren e Joe Biden: Vullneti i popullit fitoi!

15 Dhjetor 2020, 15:26

Demokrati Joe Biden fitoi të hënën votimin shtet për shtet të Kolegjit Zgjedhor, që përcakton zyrtarisht presidencën në SHBA.

Kalifornia, shteti më i populluar i vendit, i dha Biden 55 votat e saj elektorale, duke bërë që ai të kapërcejë zyrtarisht totalin e 270 votave, të nevojshme për të siguruar Shtëpinë e Bardhë.

Bazuar në rezultatet e nëntorit, Biden fitoi gjithsej 306 vota të Kolegjit Zgjedhor kundrejt 232 të Republikanit Donald Trump. Pas zyrtarizimit të fitores së Joe Biden në zgjedhjet presidenciale, ka ardhur reagimi nga ana e Presidentit të Rusisë, Vladimir Putin. Ai ka uruar fitoren e demokratit si dhe ka shprehur gatishmërinë për të biseduar e bashkëpunuar me të.

Më herët gjatë ditës, elektorët në disa shtete kryesore fushë-betejë ku zoti Trump u përpoq pa sukses të ndryshonte rezultatin - Arizona, Xhorxhia, Miçigani, Nevada, Pensilvania dhe Uiskonsini - votuan gjithashtu për zotin Biden, i cili pritet të marrë detyrën në 20 Janar.

Në shtetin e Miçiganit, elektorët demokratikë shkuan në Kapitolin e shtetit të shoqëruar me makinat e policisë, për të shmangur protestuesit e armatosur pro-Trump që kishin planifikuar të demonstronin kundër fitores së Biden në këtë shtet.

Në shtetin jugperëndimor të Arizonës, ku zoti Biden u bë kandidati i parë demokrat për presidentit që arrinte fitore që nga viti 1996, zyrtarët e shtetit e mbajtën votimin në një objekt që nuk e kishin identifikuar për publikun për arsye sigurie, larg një takimi që po zhvillonin republikanët në selinë e legjislaturës së këtij shteti.

Në Delauer, shteti i vogël lindor që është edhe vendbanimi i Biden, ceremonia e votimit të Kolegjit Zgjedhor u zhvendos në sallën sportive të një kolegji, që shihej si objekt më i sigurt.