Zgjedhjet parlamentare/ Meta nis konsultimet për caktimin e datës! Fton të premten në 11:00 Ramën! Në 12:00 Bashën

1 Shtator 2020, 13:37 | Përditesimi i fundit: 2020-09-01 15:50:40

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka nisur konsultimet me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të Përgjithshme parlamentare 2021. Për këtë çështje, kreu i shtetit ka ftuar ditën e premte në orën 11:00 në një takim kryeministrin Edi Rama, si kryetar i Partisë Socialiste në Presidencë. Ftesa i është dërguar kreut të grupit parlamentar socialist dhe mban datën e sotme, 1 shtator 2020.

"Presidenti i Republikës, Ilir Meta në mbështetje të kompetencave të tij Kushtetuese, neni 90 gërma "gj", pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor të miratuara në ligjin nr. 101/2020, si dhe në vijim të traditës së mirë, ka vendosur nisjen e procesit të konsultimeve me partitë politike me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme për Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Për këtë, Presidenti i Republikës fton në takim ditën e premte datë 04.09.2020 ora 11:00 pranë Institucionit të Presidentit të Republikës, Kryetarin e Partisë Socialiste z. Edi Rama dhe/apo persona të tjerë të autorizuar prej tij. Me besim në vlerësimin e këtij procesi të rëndësishëm", shkruhet në ftesë.

    No videos found.