'Zgjedhorja'/ Gjiknuri: Jo më komisionerë nga partitë, presim propozimet e PD-së! Hajdari: Do ndryshojmë edhe sistemin

7 Nëntor 2019, 17:01

TIRANE-Socialistët dhe opozita në Kuvend kanë diskutuar dhe rënë parimisht në dakord për draftin e dytë që hartuan ekspertët për depolitizimin e administratës zgjedhore, pra që nuk do të emërohen më nga partitë politike, por nga nëpunësit civil (lexo këtu të plotë). Damian Gjiknuri, bashkë-kryetari i reformës zgjedhore u shpreh se janë të hapur dhe në pritje të propozimeve të PD-së, ndërsa Rudina Hajdari tha se pas depolitizimit radhën e ka sistemi zgjedhor, që duhet të ndryshohet.

Ndërkohë që mbledhja e sotme, ashtu si ajo e pak ditë më parë ku u diskutua drafti për financimet politike, u zhvillua me dyer të mbyllura. Komisioni i Posaçëm Parlamentar i Reformës Zgjedhore është i ndarë në 4 grupe pune, teksa drafti që u publikua dje është i dyti, pasi pak ditë më parë doli në media drafti i parë që lidhej me financimet e fushatës elektorale. Ndërsa debati më i madh lidhet me sistemin zgjedhor, teksa pritet drafti nga grupi që po e harton. Në këtë komision nuk merr pjesë opozita jashtë parlamentit, PD-ja ka organizuar një tryezë paralele me aleatët.

Kryeministri Rama ka deklaruar se brenda dhjetorit do të miratohet faza e parë e reformës vetëm me rekomandimet e OSBE-së, ndërsa në të dytën mund të diskutohet ndryshimi i sistemit. Por opozita e re ka vendosur kusht që me ndryshimet që do të miratohen të kalojë edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Damian Gjiknuri pak ditë më parë la një derë të hapur, por mbetet për t'u parë se cfarë do të ndodhë.