Zgjedhorja/ Gjiknuri: Pas çdo procesi zgjedhor do hapen disa kuti 'rastësisht' për transparencë! Hajdari: Në janar shqyrtojmë ndryshimin e sistemit

19 Dhjetor 2019, 16:35

TIRANË- Bashkëkryetari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Giknuri ka deklaruar se në çdo proces Zgjedhor do të hapen kutitë të përcaktuara nga një mënyrë rastësore me qëllim transparencën post Zgjedhore.

Një pikë e cila është artikuluar për herë të parë nga Gjiknuri, e dalë pas mbledhjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Për Gjiknurin, kjo metodologji do të shërbejë për transparencën e zgjedhjeve, por edhe do të bënte administratën zgjedhore më të përgjegjshme në numërimin e votave.

Gjithashtu, në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme është paraqitur për herë të parë një propozim zyrtar nga ana e opozitës parlamentare që kërkojnë ndryshimin e sistemit në sistem proporcional me lista të hapura. Dokumenti mban firmën e dy nismëtarëve, Muslim Murrizit dhe Halit Valeteri.

Për këtë çështje, dy bashkëkryetarët, Gjiknuri dhe Hajdari bën me dije se do të shqyrtohet në muajin janar, e ndërsa bën me dije nuk do të votohet asnjë draft pa marrë opinionin paraprak informal të ODIHR.