Zgjohen strukturat kundër korrupsionit në Shqipëri. Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2018, janë proceduar 643 persona për korrupsion, nga të cilët 54 janë ndaluar dhe arrestuar. Bilanci pasqyrohet në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, Etilda Gjonaj, mbi zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit, për periudhën Janar-Qershor 2018.
“Gjatë periudhës Janar-Qershor 2018, nga strukturat Kundër Korrupsionit, janë evidentuar gjithsej: 453 vepra penale, zbuluar: 421, forca zbuluese 92.9%, autorë të proceduar penalisht: 643, nga të cilët arrestuar 3, ndaluar 51, në gjykim të lirë 543, shpallur në kërkim 58, të ndryshme 4. Numri i hetimeve të korrupsionit të gjeneruara nga denoncimet e qytetarëve është 168 raste”, thyhet në raportin e ministres së Drejtësisë.Në raportin e Koordinatores Kombëtare Kundër Korrupsionit, përcaktohen edhe 18 objektiva në luftën kundër korrupsionit deri në vitin 2020, ku 11 prej tyre bëjnë pjesë në qasjen parandaluese, 4 në qasjen ndëshkuese dhe 3 në qasjen ndërgjegjësuese. Sa i takon objektivit parandalues të korrupsionit, strategjia parashikon rritjen e kontrollit të financave të partive politike si dhe forcimin e kontrollit të pasurive të pushtetarëve. Burimi i parave të partive politike dhe pasuria e zyrtarëve të lartë shihen si çështje të pa adresuara që gjenerojnë korrupsion. Për të kufizuar korrupsionin, është planifikuar gjithashtu analizimi i prirjeve të korrupsionit, fuqizimi i infrastrukturës elektronike të institucioneve publike, adoptimi i politikave anti-korrupsion në nivelin e qeverisjes vendore etj. Sa i takon qasjes ndëshkuese, parashikohet përmirësimi i efiçencës dhe efektivitetit të hetimeve penale kundër korrupsionit si dhe rishikimi i kuadrit ligjor për ndjekjen penale të krimit ekonomik dhe financiar.