Zhduket përpara 17 viteve pas takimit me pronarin grek të porsadalë nga burgu, sot familjarët kërkojnë 41-vjeçarin

16 Janar, 21:35

41-vjeçari Eduart Aliaj është i riu që sot është në skedën e të humburve, që prej vitit 2002. 16 vitet e tij të zhdukjes mbajnë ende në ankth zemrat e familjarëve, për fatin e të cilit nuk dihet ende më asgjë. Ishte një 25- vjeçar asokohe, kur u zhduk pa lënë gjurmë, nga Athina e Greqisë. Eduarti kishte emigruar edhe më herët drejt tokës Helene, për një jetë më të mirë, sikundër çdo shqiptar tjetër. Në vitin 1998 ishte pajisur me dokumenta greke dhe shpesh kthehej në Shqipëri, për t’u takuar me familjarë të tij.

Viti 2000 ishte viti kur ai u martua me bashkëshorten e tij Eglantina, me të cilën kanë edhe një djalë, Julis, sot një 18 vjeçar, i cili është në kërkim të babait, të cilin nuk e pa më dhe i cili humbi kur ai ishte vetëm 2 vjeç.

Familja Aliaj, në atë kohë një familje e re, e kompletuar vazhdonte jetën normalisht në qytetin e vogël të Ballshit në Mallakastër. Eduarti vijonte të bënte jetën si emigrant në Greqi, për të siguruar të ardhura të tjera për familjen e tij të re të sapo ndërtuar. Në shtetin fqinj, ai punonte në firma të ndryshme ndërtimi.

Për shkak të shumë viteve atje, Eduarti shpesh zevendësonte edhe pronarin e tij grek Sotir Papulas. Ky i fundit pati ardhur edhe më herët në Shqipëri, në korrik të vitit 2002, një muaj para zhdukjes së Eduartit. Me premtimin se do të rikthehej përsëri më 19 gusht, Eduarti nuk u kthye më kurrë në Shqipëri. Ai njofton në telefon familjen duke i thënë se nuk mund të vinte pasi ish-pronari i tij ndodhej në komisariat. Ishte një nga netët e fundit të gushtit kur Eduarti shkon në shtëpinë e dajës së tij dhe i pohon Donikës, nuses së dajës që të nesërmen duhej të takohej me pronarin grek, i cili do të dilte nga qelia dhe se i kishte premtuar një punë tjetër.

Të nesërmen në mëngjes, Eduarti dhe Donika pijnë bashkë kafenë e mëngjesit, pak përpara se të takohej me pronarin e tij. Pak minuta më pas dikush e merr në telefon dhe ai largohet, duke pohuar se po shkonte të takohej me pronarin e tij, i cili do dilte nga burgu. Ishte data 31 gusht e vitit 2002 kur për Eduartin më pas nuk do të mësohej më asgjë, rreth fatit të tij. Familjarët komunikuan edhe me Sotir Papulas, ish-pronarin e tij, ndërsa ky i fundit u ka pohuar vetëm faktin se Eduarti kishte mendje për të ikur në Belgjikë. Me zhdukjen e Eduartit edhe familja e tij ka disa vite që jeton jashtë kufijve. Djali, i cili sot është 18 vjeç jeton në një kolegj në Itali, ndërsa u largua bashkë me nënën e tij dy vite më parë për të jetuar në Brindizi.

Mamaja e Eduartit ka rrëfyer këtë të mërkurë në studion e "Pa Gjurmë" momentet e fundit kur ka parë djalin e saj, ndërsa nusja e dajës së Eduartit, Donika Fulozegjaj, i tregoi moderatores Odeta Dume rrjedhën e asaj dite që ka qenë me të humburin.

Ishim në shtëpinë time, e thërrisnim gjithnjë, e mori Sotiri në telefon, më tha se do e punësonte për të vaditur lulet. Më tha se i kishte premtuar 50 euro në ditë, kur ndërkohë një ushtar asokohe merrte në ditë 30 euro. Që nga ajo kohë nuk u bë më i gjallë, e pritëm një javë por ai nuk u shfaq më kurrë. Sotiri kishte një disko dhe e kishte pa dokumenta, ai i kishte premtuar Eduartit edhe punë brenda diskos.

Donika Fulozegjaj, nusja e dajës së Eduartit

Më tej, ajo u shpreh Eduarti kurrë nuk e ka shprehur dëshirën për t'u drejtuar drejt Belgjikës, ndryshe nga cfarë ka pretenduar për familjarët Sotiri.

Ndërsa e ëma, Florija, vijoi të shprehte dyshimet se i riu shqiptar ndodhet në burgun e Koridhalos dhe se ajo sëbashku me bashkëshortin, përmes personave të tjerë, janë përpjekur kurdoherë që të vendosen në gjurmët e djalit. Florija gjithashtu shfaqi dyshimet se të vërtetën rreth fatit të Eduartit mund ta di vetëm Sotiri, ish-pronari grek.

Atëherë i kisha fëmijët e vegjël, ishte kohë e vështirë, unë futa njerëz të tjerë për t'u interesuar në atë burg. Letrat e identifikimit i kishte me emrin e tij, i thërrisnin Jorgo, por letrat nuk i kishte ndryshuar. Dikush më mori përpara kohësh në telefon dhe më pyeti se kush ishte pas telefonit, por unë e humba fillin. E pyeta se kush ishte dhe më tha "kush jam unë e?" Ndoshta mund të ketë qenë edhe ndonjë tjetër, se ku e di unë se cfarë bëhet.

Florija Aliaj, e ëma e Eduartit

Babai i Eduartit, përmes një lidhjeje telefonike, deklaroi se është munduar ta kërkojë të birin edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të emisionit ai i bëri thirrje të gjithë atyre që mund të kenë rënë në kontakt me Eduartin, që të ofrojnë informacione në lidhje me vendndodhjen e tij. 

Kategori të tjera