Zhduket prej 9 ditësh 21 vjeçari në Burrel, historia e hakmarrjes që i vrau babanë dhe xhaxhanë

15 Gusht 2020, 16:07

Një 21- vjeçar nga Burreli rezulton i humbur prej 9 ditësh. Kontakti i fundit i të riut me familjarët ka qenë me 5 gusht në orën 14:48. 

21-vjeçari Klevis Lleshi, sipas reagimit të nënës së tij, është larguar nga banesa me disa shokë për të pirë një kafe, por nuk është kthyer më në banesë.

Fillimisht familjaret e kanë denoncuar rastin në Polici e me pas në Prokurorinë e Burrelit duke dhënë të gjitha deklarimet dhe emrat e shokëve që e shoqëronin atë ditë. Menjëherë policia ka shoqëruar 4 shokët , të cilët ishin me 21-vjeçarin ditën kur humbi kontaktetet, por ende nuk ka asnjë të dhënë për të riun. Në pyetje janë marrë edhe të afërm me të cilët shoqërohej më së shumti.

Në deklaratat e tyre ata shprehen se nuk kanë asnjë informacion për mënyrën se si është zhdukur dhe kanë shtuar se përpara tyre 21-vjeçari nuk kishte shprehur asnjë shqetësim.

Familjarë të Klevis Lleshit kanë dyshime se shokët e të riut nuk kanë treguar të vërtetën dhe se mund të jetë njëri prej tyre që e ka çuar djalin e tyre tek hasmi, që janë prej 7 vitesh.

Në vitin 2013  është vrarë babai i të riut, ndërsa 4 vite më vonë në 2017 u vra xhaxhai i tij. Ndërkohë që 6 muaj pas është zhdukur edhe djali 40-vjeçar i kunatit.

Duke qenë se prej gati 10 ditësh familjaret e Klevisit nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga autoritetet ata janë drejtuar në policinë e Tiranës për të bërë një tjetër denoncim, ndërsa kanë kërkuar takim me ministrin Sandër Lleshaj për ta ndihmuar në gjetjen e djalit.