Zhdukja e 3 të rinjve në Shkodër, gazetari Elton Qyno: Nuk përjashtohet pista e konfliktit për femra

6 Tetor 2020, 21:18 | Përditesimi: 7 Tetor 2020, 10:07

Dyshohet se prishja e pazareve dhe vjedhja e 50 kg marijuanë është bërë shkak i zhdukjes së tre kushërinjve prej tre ditësh në Malësinë e Madhe. Sipas burimeve për Report Tv, grupi  hetimor ka  dyshime të forta se dy djemtë Klement Pepaj, 21 vjeç dhe Vilson Çutaj, 37 vjeç, janë ekzekutuar nga Danjel Pepaj, 25 vjeç.

Sherri mes tyre dyshohet se ka nisur për disa parcela droge, ku Danjel Pepaj ka thërritur kushërinjtë e tij Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj që të sqaroheshin dhe nga ku mendohet se mund t'i ketë ekzekutuar. Sipas burimeve mendohet se të dy trupat mund të jenë groposur duke e bërë edhe më të vështirë gjetjen e tyre.

Report Tv mëson se Danjel Pepaj është parë në Shkodër duke lëvizur me një automjet të shtunën në mbrëmje, ndërsa më pas mund të jetë larguar drejt Malit të Zi. Policia ende nuk ka asnjë të dhënë tjetër nga personi që dyshohet si autori i ekzekutimit të dy të rinjve.

Gjithashtu mësohet se një ditë para zhdukjes, në datën 2 tetor 2020 Klemend Pepaj dhe Vilson Çutaj, kanë dhunuar fizikisht, Danjel Pepaj. Dyshohet se sherri ka ndodhur pikërisht për prishjen e pazarit të drogës, por nuk lihet mënjanë edhe pista se sherri mund të ketë nisur për një femër.

b.ha./Shqiptarja.com