Zhvati 1 mld lekë, Report Tv zbulon se si Prokuroria fali mashtruesin Klodian Ciruna

24 Korrik 2018, 16:11

Personi që shihni në këtë foto është 41-vjeçari, Klodian Ciruna, i prangosur pak javë më parë për mashtrim me mbi 1 milion euro. Para të cilat ua merrte biznesmenëve me premtimin se ai ishte një person i pushtetshëm me lidhje me zyrtarë të lartë dhe do ndihmonte biznesmenët të pajiseshin me leje ndërtimi në Tiranë dhe nëpër Shqipëri.

Por prangosja e Cirunës më 5 qershor 2018, do të nxirrte në pah një skandal të sistemit të drejtësisë. I njëjti person është kallëzuar penalisht për mashtrim me 750 mijë euro më 11 shtator 2017, siç dhe shihni në këtë kallëzim të siguruar nga Report Tv por është falur nga Prokuroria.

Kallëzimi ndaj Cirunës është depozituar shtatorin e 2017-ës nga shtetasi Skënder Zela i cili pretendon se Ciruna është djali i ish-bashkëshortes së tij shtetases I.Kapllani. 

Pas këtij kallëzimi veprimet janë kryer nga policia e Tiranës e cila ka sekuestruar një sërë provash material duke nisur nga komunikimet telefonike, ato me e-mail, kontrata huaje, kontrata shit-blerje etj.

Sipas kallëzimit mashtrimi zë fillim në fund të vitit 2013, fillim të 2014-ës dhe ka zgjatur 3 vite deri në 2017, ndërsa Zela pretendon se i janë marrë 750 mijë euro. Një tjetër dokument me të cilin Zela ka trokitur në dyert e Prokurorisë e Policisë është dhe një ftesë që Ciruna i dërgonte atij në emër të bordit drejtues të bankës së Shqipërisë përmes postës elektronike ku janë falsifikuar firmat e bordit drejtues të Bankës së Shqipërisë. 

Në këtë ftesë i mashtruari Zela, kërkohej të paraqitej pranë bankës të tërhiqte interesat dhe fondet e depozituar pranë kësaj bankë në mbi 6 mijë euro. Interesa të cilat i përkisnin depozitës prej 500 mijë euro por kur Zela ka trokitur në dyert e bankës ai ka kuptuar se paratë e tij kurrë s’ishin depozituar aty dhe ai s’kishte asnjë interes për të tërhequr.

Pa kaluar pak ditë nga kallëzimi i Zelës, akuza e Tiranës vendos të pushojë hetimet pasi nuk i kishin rezultuar element të veprës penale dhe skish gjetur prova për të faktuar mashtrimet e Klodian Cirunës ndaj njerkut të tij.

Vendimi për pushimin e çështjes përfundoi në gjykatën penale të Tiranës, aty ku më 29 dhjetor 2017 gjyqtari Kujtim Vranici jo vetëm që s’do të miratonte mbylljen e kësaj dosje por vendos kryerjen e një sërë veprimesh hetimore për të zbuluar skemën e zhvatjes së mijëra eurove.

Në faqen tre të vendimit 1120 datë 29.12.2017, gjykata shprehet se “prokurori duhet të verifikonte në lidhje me këto veprimet, duhet të kryente veprime hetimore të tjera, përveç atyre të kërkuara nga kallëzuesi si viktimë e veprës penale”.

    No videos found.