Zjarr në Spitalin e Durrësit/ Flakët përfshijnë 4 katet e spitalit, rreth 80 pacient të evakuuar

11 Janar 2020, 07:17 | Përditesimi i fundit: 2020-01-11 11:10:54

Një zjarr ka përfshirë Spitalin e Durrësit gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se shkak i flakëve është bërë një masë në kabinën elektrike prej ngarkesës në rrjet nga ngrohëset.

Zjarri ka rënë fillimisht në katin e parë, tek reparti i neurologjisë, dhe më pas në mënyrë zinxhirë ka vijuar edhe në katin e dytë, tretë dhe të katërt për shkak të strukturës me një kolonë të spitalit.

Zjarrfikëset kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje për shuarjen e flakëve, ndërkaq punonjësit e spitalit kanë evakuuar menjëherë pacientët nga repartet e tjera drejt atij të kirurgjisë.

Në evakuimin e pacientëve kanë ndihmuar edhe efektivë të ruajtjes së rendit publik. Mësohet se, rreth 80 pacient janë evakuuar për shkak të flakëve, ndërsa  gjysma e Spitalit të Durrësit ka mbetur pa energji elektrike.

Specialistët shkuan në vendngjarje për zbulimin e shkakut të zjarrit. Në një intervistë për Report Tv, inxhinieri elektrik i Spitalit të Durrësit, Edmond Palodhi është shprehur se flakët nuk kanë qenë të mëdha dhe se ka pasur më tepër tym dhe ndotje të ajrit nga djegia e kabujve.

“Zjarri ka rënë nga ngarkesa në rrjetin elektrik për shkak të stinës dhe ngrohseve në ambientet e spitalit. Zjarri si fillim ka rënë në katin e parë tek pavioni i neurologjisë dhe më pas, meqënse janë me një kolonë të gjithë katet e rrjetit, ka avancuar në kat të dytë, të tretë dhe të katërt.

Për evakuimin e të sëmurëve është vepruar në mënyrë të shpejt nga personeli për arsye se janë edhe shkallët e emergjencës dhe zjarri nuk ishte i përmasave të mëdha. Ishte thjesht tym dhe ndotja e ajrit nga djegia e elementëve që përbëjnë kabujt elektrik.”

I pyetur se nëse kërkon kohë rregullimi i dëmeve, inxhinieri elektrik i Spitalit të Durrësit përgjigjet se: “Po, kërkon kohë riparimi i dëmeve sepse janë gjithsej katër kate. Po ashtu duhen ndryshuar panelet sepse janë djegur, janë të këputura.”

    No videos found.