'Zonjat që bëjnë Shqipërinë'/ Ina Kosturi: Udhëtimi me violinën dhe aktivitetet e mia për të gjetur muzikën e vjetër shqiptare

18 Dhjetor 2018, 17:43

Nga Flora Nikolla
Dhurata Hamzai

Në moshën kur fëmijët kanë qejf skenën dhe nisin të improvizojnë, Ina Kosturi zgjodhi violinën. Nisi si një lidhje e natyrshme, për ta shoqëruar gjatë gjithë jetës. Studimet jashtë Shqipërisë e bën Ina Kosturin të pasur me eksperienca të reja profesionale. E lindur për t’iu dedikuar muzikës, Ina Kosturi kujton ditën e parë kur ka prekur violinën.  Nga ana tjetër, pasioni i fshehtë për letërsinë, i dha Ina Kosturit një dimension më të zgjeruar në jetën publike. Ajo nisi të ishte aktive me shkrimet publicistike dhe shpesh edhe me kritikat profesionale për artin dhe koncertet muzikore.

Profesore e asociuar dhe pedagoge në Universitetin e Arteve, Ina Kosturi shprehet se në botën profesionale të muzikës shqiptare ka shumë probleme. Ajo do të dëshironte të ishte e para për të ndryshuar gjuhën e komunikimit në komunitetin e muzikantëve në Shqipëri.

Ina Kosturi mund të quhet edhe zonja e iniciativave të guximshme. Projektet për vitin 2019 ajo i ka në start.

Ina Kosturi, “Zonjë që bënë Shqipërinë”, nuk ka ndalur kurrë së dhëni koncerte, shpeshherë duke i munguar edhe mbështetja institucionale. Ajo punon edhe pedagoge në Universitetin e Arteve. Për Ina Kosturin Shqipëria është vendi i jetës. Në realitetin ku jeton, e shkuara shqiptare e harruar e shtyn të gërmoj arkivave, të ndalet në figura të njohura e personalitete të arsimit shqiptar e muzikor, të interpretoj vepra të vjetra shqiptare, e të guxoj me modesti në krijime muzikore.

Intervista

     Historia me violinën ka qenë diçka e natyrshme, e dikujt që e ka qejf skenën, ka qejf të improvizojë që fëmijë dhe zgjedh violinën, pa e ditur se do ta vazhdojë apo jo. Më pas duket sikur kjo dëshirë të ndjek pas. Ti nuk e ndalon dot. Është më e fuqishme se ajo ndjenja për të vazhduar diçka më të thjeshtë, siç mund të ishte kultura e përgjithshme apo diçka tjetër, ku gjithsesi je shumë mirë. Është një pasion, i cili nuk ndalet. Kur je fëmijë nuk e di se sa e vështirë është që të bëhesh violinist. Ndoshta sot edhe në opinionin e përgjithshëm shqiptar nuk dihet se sa e vështirë është që të jesh violinist, që të bësh solistin në Shqipëri apo jashtë saj. Nuk di se sa modeste duhet të jesh duke kuptuar se në botë ka me mijëra instrumentistë, me mijëra violinistë dhe duke ditur që është një profesion të cilit i përkushtohesh dhe është skena ajo, e cila të ndjek, që ke dëshirë të dalësh. Por duhet edhe të luftosh për të qenë atje. Bashkë me violinën pastaj fillon studimi. Kërkon impenjim, lodhje, jo vetëm lodhje fizike, por edhe lodhje mendore. Janë ditë të tëra impenjimesh. Një angazhim psikologjik, do të thosha, që krahas ecurisë tënde është një lloj talenti i heshtur – po flas për të gjithë violinistët këtu, jo vetëm për vete – gjatë së cilës do ecësh e do ecësh derisa një ditë do të gjendesh në një sallë me ato perdet e rënda dhe kjo është dëshira e çdo violinisti. Krahas studimit të vazhdueshëm, punimit me pedagogë apo përballjes edhe me jashtë Shqipërisë, që është një eksperiencë tjetër, e cila të bën akoma më të rëndësishëm, të jep një lloj fuqie si të thuash, sepse aty janë vendet ku ka lindur dhe është zhvilluar më tepër muzika, violina bëhet jo vetëm pasioni yt, por bëhet edhe një dëshirë për të vazhduar më tej. Këtu pastaj disa ndalen në këtë rrugë të vështirë. Është ndryshe një profesion tjetër, ku diçka fillohet më vonë, kur ti je i pjekur. Kur ti e zgjedh violinën dihet që e zgjedh si fëmijë. Një fëmijë që nuk di sepse shpeshherë ngjitja e një tastiere mund të zgjasë gjithë jetën dhe ti asnjëherë nuk e ke mësuar një pjesë. Është një profesion që nuk njeh limite. Një pjesë e ke luajtur që fëmijë, pastaj vjen në një periudhë tjetër që të luash të njëjtën pjesë, por ama, ta interpretosh ndryshe. Ka të fshehtat e tij, ka veçoritë e tij që janë të lidhura me pasionin, janë të lidhura me skenën, janë të lidhura me spektatorin, me publicitetin, me të gjitha bashkë. Kryesorja është studimi dhe sa përkushtim dhe sa mund do të japësh, jo vetëm me studim, por edhe përballimi i të gjitha vështirësive që do të hasësh sepse nuk është e thjeshtë, aq më tepër që të bësh solistin ose të duash të jesh vazhdimisht në skenë. Shpeshherë do të duhet të përballesh edhe me vështirësi të tjera, që është realizimi i koncerteve, është mposhtja e heshtjes sepse shpeshherë përballesh jo vetëm me vështirësitë e instrumentit, por janë edhe vështirësitë e skenës, për t’u ngjitur në një skenë, për t’u krijuar mundësia që të jesh prezente në një skenë për të marrë duartrokitje. Për mua ka qenë bukur, ka qenë kënaqësi, me gjithë vështirësitë që nuk janë të pakta, sidomos në një vend si Shqipëria, kur mendon të kthehesh në vendin tënd dhe atje ta vazhdosh këtë rrugë. Është një rrugë e gjatë ndoshta, por që merr shumë kënaqësi. Krahas kësaj ka dy mënyra heshtjeje që ti duhet të përballesh me heshtjen: është heshtja e tingujve, të cilën nuk duhet ta lejosh. Nuk duhet të lejosh të ndalohen këta tinguj, për shumë motive që mund të jenë nga më të ndryshmet, është konkurrenca shpeshherë, janë shumë ngjarje që kanë të bëjnë edhe me vendin ku ti je, gjëra që ndonjëherë nuk kanë të bëjnë me ty. Është edhe heshtja tjetër, heshtja e fjalës. Them se këto të dyja kombinohen bashkë, d.m.th. krahas të bërit të instrumentit. Nuk mund të jesh vetëm një instrumentist që del në skenë, duhet të jesh dhe dikush, i cili këtë përvojë tënden apo këtë lojë në violinë duhet ta shpalosësh edhe me fjalësh. Dhe kombinimi i këtyre të dyjave e bën disi më të plotë profesionin. Duhet të jesh aktiv dhe të jesh i ndërgjegjshëm për atë që ndodh, për atë që është edhe rreth teje, duke dhënë dhe mendime, duke mos pasur atë sikletin e të parit gjithmonë të punëve të tua, të asaj pjesës së ngushtë dhe të vogël të një instrumentisti, të një bote të vogël. Bota e një instrumentisti është një botë e vogël, do të thosha unë, është një studim individual. Që fëmijë mësohesh të jesh i vetëm në atë studim, kurse përballja më tej është një përballje me një botë më të gjerë dhe në këtë botë më të gjerë duhet të jesh aktiv. Duhet të jesh aktiv edhe me koston e asaj që shpeshherë është e vështirë sepse tingujt janë ndryshe, ndërsa fjala është tjetër gjë. Dhe kur këto të dyja kombinohen them se bëhesh më i kompletuar. Në një moment kam folur ndoshta për të mos lejuar që të ndaloheshin tingujt, në një moment tjetër pastaj kur fjala ka qenë e rëndësishme, më është dashur të kthehem prapë për të luftuar për violinën.

Ç’mund të na thuash për bashkëpunimet ndërkombëtare?
Po, ka qenë një pjesë normalisht që ka rëndësi, sidomos ajo pjesa e të dalës jashtë Shqipërisë, jashtë vendit tënd. Është kjo pjesa që mësohesh edhe me diçka tjetër jashtë. Është përballje e bukur, do të thosha, sepse kjo të bën diçka më të aftë, të bën të besosh më tepër. Janë qytete me vlera ku, pavarësisht kushteve ku gjendesh, sot në ditët e sotme, ku do shkoj janë kushtet më ndryshe. Pak kohë më parë përballja ka qenë më ndryshe. Është shumë kënaqësi kur edhe atje merr sadisfaksion. Do të doja prapë t’i kthehesha kësaj pjesës së lëvizjeve. Kam qenë në këtë periudhë më e fokusuar brenda Shqipërisë, në koncertet këtu. Ato janë eksperienca të tjera, janë eksperienca të rëndësishme, jo vetëm për anën profesionale, por gjithashtu janë eksperienca të rëndësishme për të kuptuar atë që ndodh sot në botë në ato qendrat e artit ku ti merr një kulturë të gjerë, një kulturë të përgjithshme, për gjithçka.

A e kujton ditën e parë kur e ke prekur violinën?
Kujtoj momentin e parë. Kur e kam nisur në fillim, për të qenë e sinqertë, ka qenë pak e lezetshme historia, do të thosha. Nuk ishte një histori normale që unë mora një violinë. Këndoja shumë, improvizoja gjithmonë një skenë duke kënduar. Njerëzit që vinin ishin të detyruar që të dëgjonin koncertet e mia. Dikush që erdhi ishte pianiste dhe tha që më mirë do të ishte që të shkonim në shkollën e muzikës se sa të vazhdonin ato koncerte. Më çuan atje, më kanë hipur mbi tavolinë. Kam imituar sepse edhe imitoja edhe këndoja shumë. Në momentin e parë mua më pëlqente pianoja, t’ju them të drejtën. Në shtëpi kisha një shall pianoje, një stol ku bëja detyrat që përsëri ishte stoli i një pianoje. Pasioni im atëherë ishte pianoja dhe një fizarmonikë, të cilën e zbrisja dhe e ngjisja nga një dollap për ta bërë si piano, por që nuk e bëja dot sepse isha vetëm një fëmijë që nuk mundej t’i binte një fizarmonike sepse ishte e vështirë. Nuk ishte zgjedhja ime, por të tjerët menduan për të më dhënë violinën. Unë do të kisha vazhduar me pianon, të them të drejtën, por dikur kishim pasur një piano që e kishin marrë në Korçë dhe nuk e kishin kthyer më. Dhe thanë që një violinë do të ishte më mirë. E nisa dhe pastaj më pëlqeu shumë, kështu që nuk e mendova më këtë pjesë. Gjithsesi gjatë gjithë kohës luajmë duo, kështu që janë të dyja bashkë.

Ina në violinë, Ina si romanciere, Ina në botën akademike. Si është raporti midis tyre?
Gjithmonë e kam pasur një pasion për letërsinë. Që kur isha në shkollë, ka qenë një pjesë goxha e rëndësishme. Kam shkruar gjithmonë pa i publikuar shkrimet. Pjesa e miqve të mi e dinte këtë. Nuk e kam bërë sepse violina kërkonte shumë kohë dhe mendova që e kisha zgjedhur një rrugë atëherë dhe nuk doja t’i hyja diçkaje tjetër. Pastaj, një moment të caktuar iu riktheva, si të thuash, apo më tepër dola te publicistika, nga personalja por ndoshta edhe përtej personales në momentin më pas, për të shkruar artikuj kritikë më tepër që kishin të bënin me situatat që ndodhnin në Shqipëri, me atë panoramën tonë shpeshherë të koncerteve shumë të mira që mbetën deri diku të pathëna, të patreguara, por pse jo dhe me kritikën. Në momentet e para ka qenë shumë e vështirë që të ngjiteshe në shkallët e një redaksie, të shkoje aty nga violina dhe të shkruaje kritikë. Në qoftë se në një konservator, kur shkon jashtë, kam shkuar në Firence fillimisht, shkon dhe përballesh me profesorët aty dhe të thonë që kemi një violiniste që luan Prokofievin, përballja e opinionit këtu, e muzikantëve, nuk është e njëjta. Kur ti shkruan në një gazetë, pavarësisht që numri më i madh i artikujve, kur i hap edhe sot, janë portrete dirigjentësh, violinistësh më shumë dhe instrumentistësh të tjerë, apo edhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me arsimin dhe me muzikën. Por gjithsesi, ai momenti i parë është shumë i vështirë kur je edhe më i guximshëm, kështu kam përshtypjen, sepse më vonë, shkrimi është një lloj diplomacie, do ta quaja, të bën deri diku edhe pak më diplomat. Sa më shumë të shkruash aq më tepër t’i di edhe mënyrën se si i shikon gjërat. Shkrimet e para janë goxha më të guximshme. Je më i guximshëm kur shkruan. Por gjithsesi, Shqipëria është një vend ku kritika deri diku ka qenë tabu, ndoshta është edhe sot. Nuk jemi akoma si jashtë, sado që kemi një gazetari shumë të mirë për gjëra të tjera. Kur flasim për të qenë realë për atë që ndodh në Shqipëri, kemi mangësi. Dhe që të shkosh e të ngjitesh në shkallët e një gazete, deri diku është e vështirë, aq më tepër duke qenë violiniste sepse të nesërmen do të përballesh prapë me të njëjtët njerëz. Në momentin që ti nuk kishe një redaksi pas që të të mbronte, d.m.th. ishte një individ i pavarur, pa asnjë lloj interesi vetëm për të bërë, si të thuash, atë pjesën më vonë edhe jashtë personales sepse nuk kishin më lidhje me ty temat për të cilat shkruaje. Ishin deri diku të vështira. Megjithatë, mua më kanë pëlqyer të dyja. Duket sikur kanë plotësuar njëra-tjetrën. Pastaj, për sa i përket botës akademike, që në momentin e parë që jam kthyer nga jashtë, unë kam filluar direkt të jap mësim si pedagoge e jashtme për violinë, në Akademinë e Arteve, siç quhej atëherë, pastaj Universiteti i Arteve. Ishte një eksperiencë e bukur. Fillimisht studentët nuk ishin më të mirët. Jam mësuar me të gjitha nivelet saqë sot nuk më bën përshtypje. Sido që të jenë kam një lloj eksperience të mirë. ka qenë shumë kënaqësi, normalisht, edhe fillimet e asaj pune. Kënaqësi për faktin jo vetëm se ndjehesh i vlerësuar, por edhe për faktin se pjesët që u jep studentëve janë repertori bazë i violinës. D.m.th. në qoftë se një violinist e ka dëshirën për të vazhduar skenën, këto pjesë që punohen me studentët apo kjo mësimdhënie është repertori bazë i violinës. Normalisht kam bërë dhe pjesën tjetër që ka qenë orkestra, si një eksperiencë e domosdoshme, për 7 vite me orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit, duke marrë eksperienca me dirigjentë, me shfaqje të ndryshme që vihen. Aq më tepër Teatri i Operës është një vend ku ke edhe operën edhe baletin, i ke të dyja bashkë. Ka qenë një eksperiencë e përgjithshme.

Si e sheh botën profesionale Ina sot? Çfarë do të doje të ndryshoje në këtë botë?
Në botën profesionale së pari do të doja të ndryshoja një herë marrëdhëniet që kemi ne në Shqipëri në botën profesionale. Do të doja një marrëdhënie më dashamirëse në komunitetin e muzikantëve. Unë prapë i mbetem kritikës. Ndoshta më lejohet për të thënë dy-tri gjëra më tepër edhe për të bërë një kritikë. Nuk do të ishte kjo e para e botës sonë, por them që duhet ta bëj. Ne jemi një komunitet pak më ndryshe se komunitetet e tjera. Unë i kam parë edhe të gazetarëve, dhe të arteve pamore apo edhe të shfaqjeve e të dramës etj., etj. Ne jemi një komunitet më i veçuar, që na bën profesioni të tillë. Dhe e para që do të doja të ndryshoja, do të ishte një dashamirësi më e madhe midis nesh, me njëri-tjetrin, për ta vlerësuar njëri-tjetrin më shumë dhe për të parë që në botën tonë, ndoshta edhe pse është një botë e vogël, mund të ketë rrugë për të gjithë njerëzit. Ka hapësira për të gjithë. Kjo është pjesa që ne na mungon. D.m.th. ne kemi një Shqipëri të vogël dhe duket se komuniteti i muzikantëve ka ngelur i përshtatur me territorin, në shumë vogëlsi me njëri-tjetrin. Do të doja ta mendonim që bota është më e madhe. Po të shkosh jashtë ka me dhjetëra salla, me dhjetëra mundësi që një individ të ushtrojë profesionin e tij. Do të doja të mos e ndalonim njëri-tjetrin, së pari, në këto gjëra që duken të çuditshme, por ja që ndodhin shpeshherë.

Po nga ana artistike?
Nga ana artistike do të doja, pavarësisht faktit që ne sot kemi një Shqipëri ku jo gjithçka shkon mirë, nuk kemi skena dhe salla aq të bukura sa ç’ka jashtë, për këtë jemi koshientë se edhe muzikën e kemi filluar më vonë. Unë do të doja që ta vlerësonim atë që bëjnë artistët shqiptarë sot në Shqipëri dhe muzikantët apo kompozitorët dhe i gjithë ky grupim i madh, për të vetmen arsye sepse pavarësisht kushteve tona, sallave e të tjerave, ajo që bëhet është një punë e madhe. E bëjnë disa njerëz që Shqipërinë e kanë Shqipëri jete, do të thosha. Në qoftë se do të ndaja ata jashtë dhe ata brenda, gjë që nuk duhet ndarë, por që shpesh ne ndeshemi. Nëpër rrjetet sociale së fundi ka pasur një rrymë të tillë, shqiptarë vendi, shqiptarë të huaj. Edhe unë kam shkruar dikur. Unë do të thosha që shqiptarët që janë brenda vendit e kanë Shqipëri jete sepse kanë jetën këtu, pjesa tjetër e ka Shqipëri malli. Dhe të dyja palët duhet të kontribuojnë pa ndeshur në këto lloje, dhe duke vlerësuar edhe faktin çfarë bëjnë ata që janë jashtë, atë kontribut që japin dhe atë profesionalizëm që kanë. Arritjet pa diskutim janë shumë të mëdha sepse gjithkund shikon shqiptarë, siç duhet të jemi më tepër koshientë, sepse jo në të gjitha orkestrat e mëdha ne shikojmë solistë shqiptarë. Janë më të rrallë solistët. Do të doja që edhe gazetaria në Shqipëri të ishte një gazetari më profesionale, ajo e kulturës, flas gjithmonë, në sensin për të parë dhe për të ditur se çfarë vërtet është reale, pa shkuar tek ajo pjesa bombastike e atyre që kemi ne gjithmonë për suksese të papara, apo gjithçka të jetë më afër reales. Do të doja të ishim më mirë më shumë kritikë se sa më tepër për ta glorifikuar. Duhet të jemi më realë. Ta fillojmë nga vetja duke mos lejuar që të na lavdërojnë shumë nëpër intervista. Pastaj ta vazhdojmë këtë edhe me të tjerët.

Po te bota akademike?
Te bota akademike sot ka shumë ide. Dëgjon shumë njerëz që thonë se si e kemi shkollën sot sepse dje ka pasur një treshe violinistësh. Sot, megjithëse violina nuk është më prioritet në një Shqipëri kapitaliste sepse ky sistem është, nuk mund të kërkojmë më atë përkushtim që kanë pasur dikur brezat, të cilët e kishin violinën apo instrumentin si një lloj shprese për jashtë Shqipërisë. Por ama, sot në shkollë prapë ka instrumentistë, ka violinistë, ka muzikantë që janë vërtet shumë të mirë. Me gjithë gjendjen e klasave, do të doja që shkolla jonë të ishte më e bukur, kushte të cilat ne i dimë dhe janë reale, këto nuk mendoj se ndikojnë në atë që është puna profesionale, pasi në të gjitha provimet që ne bëjmë vazhdimisht ka vepra të reja dhe vazhdimisht dalin instrumentistë dhe violinistë që janë shumë të mirë. Kështu që them se nivelin e kemi të mirë, gjithmonë duhet përpjekur për më tepër.

Keni ndonjë iniciativë personale tuajën për vitin 2019?
Po ka. Patjetër që do të kishte diçka të re, diçka që lidhet me mua, por edhe me një pasion timin. Kam shkruar në vitin 2012 një libër. Do të ishte gati një roman, me tri pjesë, ku janë tre personazhe të vjetra, nga ata që dikur kanë bërë Shqipërinë. Kam një ditar në fakt të një shkolle të vjetër vashash dhe kjo do të ishte simbol ose dhe një shtysë për të bërë edhe diçka më tepër se sa një libër të vetëm. Në kuadrin e të gjithë këtij aktiviteti të madh që po bëhet dhe ku gjithsecili ka pjesën e tij, do të doja të jepja edhe unë atë pjesën modeste të ndihmës, që do të ishte gërmimi, do ta quaj kështu pasi e kam bërë edhe herë të tjera, jam e pasionuar pas pjesëve të vjetra, gërmimin në arkivat shqiptare, zbulimi i historisë, siç kam bërë edhe në aktivitetet e mia për të gjetur muzikën e vjetër shqiptare, ato partitura që mungojnë, ato gjëra që nuk janë që ne nuk i kemi thënë kaq vite pasi nga e shkuara kemi edhe mangësitë tona, që duhen kërkuar një pjesë midis historisë dhe muzikës.

Konkretisht për çfarë shkolle e keni fjalën?
Për shkollën e Dakos, me zonjat Parashqevi dhe Sevasti Qiriazi, por edhe më tutje, me të tjera personazhe që ne mund t’i gjejmë. Dhe do të doja që në bazë të këtyre, ne të organizonim ose një shfaqje teatrale, pasi ato kanë vënë dikur shfaqje të tilla, d.m.th. të merret lajmërimi i një shfaqjeje të vjetër dhe bashkë me të, të bëhet një pjesë. Kisha qejf ta kompozoja në kuadrin e disa gjërave që kam bërë së fundi për violinë. Ndoshta e ribëj. Jam shumë modeste te kjo sferë pasi është e vështirë. Ta ribënim pjesën muzikore të kësaj pjese teatrale, ta rivëmë ndoshta me një orkestër të vogël, por gjithsesi të ishte një koncert me pjesë të vjetra dhe me veshje të vjetra, me foto, midis historisë së sotme dhe të shkuarës dhe të ishte pjesë ndihmëse e të gjithë aktivitetit të madh që do të bëjë Albanian Excellence. Për mua do të ishte shumë bukur që ta bënim. Të shpresojmë se do ta realizojmë sepse gjërat në Shqipëri janë të vështira.   

    No videos found.