GREQI- Stuhia Tropikale “Zorba” që ka goditur Greqinë, ka bërë që 4 persona deri më tani të rezultojnë të zhdukur.
Sipas mediave vendase, situata në vendin fqinj paraqitet alarmante tek stuhia ka goditur Korinthin, Peleponezin, Argolidën dhe Atikën perëndimore.
Siç duket edhe nga pamjet, dallgët në det arrijnë deri në 11 m, ndërkohë që në breg stuhia “Zorba” ka shkatërruar gjithçka, duke filluar nga varkat deri tek lokalet.
Aktualisht era nga kjo stuhi, arrijnë një shpejtësi 140 km/orë në disa pjesë të Athinës, ndërsa autoritetet kanë dhënë alarmin dhe u kanë kërkuar banorëve të mos dalin nga shtëpitë.
Shkollat janë mbyllur në Atikë, Krete, Peleponez dhe në disa qytete të tjerë, ndërkohë që në disa zona nuk ka energji elektrike. Përgjatë të shtunës dhe së dielës rreshjet e shiut nuk kanë pushuar. 4 të zhdukurit janë dy çifte të moshuarish që nuk janë gjetur në banesat e tyre.
Situata në Greqi pritet të qetësohet mëngjesin e së hënës, stuhia pritet të godasë një pjesë të Stambollit.