Zvarriti gjyqin e kishte dyshime se po prishte prova, arrestohet për të dytën herë Pëllumb Petritaj

14 Nëntor 2019, 17:25

VLORE - Pëllumb Petritaj, njeriu që është përfshirë në disa procese gjyqësore në Vlorë, për tjetërsimin e pronave në bregdet, u riarrestua nga policia e këtij qyteti pas kërkesës së bërë nga prokurori i çështjes Albert Kuliçaj. Petritaj, së fundi po përballet me një proces gjyqësor për akuzën falsifikimit të dokumenteve, duke përfituar 100 hektarë tokë në bregdetin e Zvërnecit. Për këtë akuzë, Pëllumb Petritaj është marrë i pandehur dhe prej disa muaj ndodhet në bankën e të akuzuarit në gjykatën e Vlorës. Përfaqësuesi i prokurorisë dy muaj më parë kërkoi në gjykatë deklarimin fajtor dhe dënimin e Petritaj. Momentalisht procesi vijon të shtyhet për shkak të avokatëve mbrojtës, pasi nxjerrin arsye të ndryshme për shtyrjen e këtij procesi. Gjatë kësaj faze, prokurori Albert Petritaj, i është drejtuar me një kërkesë tjetër gjykatës, duke kërkuar arrestimin e Pëllumb Petritaj, pasi është marrë informacion se ky i fundit po ndikon në prishjen e provave të procesit. Kërkesa është miratuar nga gjykata e Vlorës, dhe dy ditë më parë policia e këtij qyteti ka kryer arrestimin e Pëllumb Petritaj.

Ky i fundit momentalisht ndodhet në burg, ndërkohë avokatët mbrojtës janë ankuar në gjykatën e Apelit, ku kërkojnë lirimin e Petritaj. Kujtojmë që Petritaj është arrestuar 8 muaj më parë për këtë çështje, dhe pas disa muaj qëndrim në qeli Petritaj, ka mundur të fitojë lirinë e tij nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”, kundrejt një garancie pasurore prej 25 milion lekë të vjetra. Por edhe pse ka dalë nga qelia, sërish Petritaj është shfaqur problematik dhe i është shmangur përballjes me drejtësinë në gjykatën e Vlorës, ku prokuroria ka kërkuar dënimin e tij me burgim. Dosja për të cilën është arrestuar Petritaj, flet për tjetërsimin e 100 ha tokë në bregdetin e Zvërnecit në Vlorë.

Në tetor 2018 me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Vlorës veç Petritaj, ka urdhëruar dhe arrestimin e Blerina Dhramit, juriste pranë hipotekës së Vlorës. Kjo pasi gjatë hetimit prokurori Albert Kuliçi zbuloi se biznesmeni Pëllumb Petritaj ka falsifikuar dosjen gjyqësore të vitit 1997 ku gjyqtar ka qenë Qatip Bylykbashi, Agim Hamiti dhe Artemisa Mece. Prona e tjetërsuar ndodhet në vendin e quajtur “Gryka e Pishës” në Nartë të Vlorës. Gjatë hetimit prokuroria zbuloi se dosja e ATP me nr.674 i përket Muhamet Bedinit dhe jo Seit Shehut, që ka bashkëpunuar me Petritaj. Petritaj përfaqësonte Ramiz Shehun, Merjeme Shehun, Sadiha Shehun, Lulzim Shehun, Lavdosh Shehun dhe Seit Shehun.

Pasi kanë marrë pronën prej 1 milion m2 të gjithë këta persona kanë autorizuar Petritajn t’i shesë tokën vajzës së tij Ina Petritaj. Shitja është kryer me një çmim prej 253 milion lekë, por pretendohet se lekët janë dhënë jashtë zyrës së noterit dhe pa një transaksion bankar. Kalimi në këtë mënyrë është bërë për të fshehur të kaluarën kriminale se si është përfituar kjo pronë. E gjithë prona është marrë mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara dhe duke shpërdoruar detyrën nga punonjës të administratës. Pëllumb Petritaj njeriu që ka tjetërsuar pjesën më të madhe të pronave në bregdetin e Vlorës, pak vite më parë u dënua me 1 vit burg nga gjykata, për tjetërsimin e pronave në zonën e Karaburunit në Vlorë. Tashmë çështja ndodhet në Apelin e Vlorës.