Zvicra investon në Lezhë për shmangien e përmbytjeve, ambasadori: Mbështesim Shqipërinë

18 Janar 2020, 20:59

Qeveria zvicerane do të investojë 4 milionë euro për minimizimin e përmbytjeve në qytetin e Lezhës. Projekti konsiston në ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza si dhe një stacioni të ri pompimi vetëm për ujerat e bardha. Për këtë qëllim ambasadori zviceran në Shqipëri Adrian Maitre zhvilloi një vizitë në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve Lezhë, ku u njoh me detajet e këtij projekti të rëndësishëm nga drejtori i këtij institucioni, Zef Maçi.

"Do ndërtohet sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe kanalizimet e ujërave të bardha (shiut). Është menduar që ta realizojmë përmes zvogëlimit të zonës së përmbytjes së qytetit. Më kryesorja është të ndajmë ujërat e ndotura nga të shiut që të ndikojmë sa më shumë në eliminimin e përmbytjeve", tha  Zef Maçi Drejtor i Ujësjellës-Kanalizime Lezhë.

Ambasadori Adrian Maitre tha se performanca e mirë e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime kanë sjellë këto investime në Lezhë. "Këto investime mbështeten në përformancë dhe këtë e ka arritur ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime, ndaj po investojmë këtu.

Në nuk shikojmë vetëm aspektet që lidhen me ujin e pijshëm, por edhe menaxhimin e ujërave të zeza dhe të shiut. Do të thosha se ky është një shembull i mirë ku shkohet me partneritet përtej një projekti dhe ky partneritet është i vendosur nga dy qeveritë tona. I gjithë synimi i këtij partneriteti është që të mbështet Shqipëria në rrugën e sajë të integrimit në Bashkimin Evropian" tha Adrian Maitre.

Përmbytjet në qytetin e Lezhës janë kthyer në një refren të vazhdueshëm sa herë ka reshje të dendura shiu, e kjo vjen për shkak sistemi i kanalizimeve nuk e përballon nivelin e prurjeve të ujit.