Basha:Minatori sms kundër qeverisë
 Gjiknuri: Mos u merr me anonime!

Basha:Minatori sms kundër qeverisë<br /> Gjiknuri: Mos u merr me anonime!
TIRANE - Vdekja e minatorit 48 vjeçar Gjovalin Prenga ditën e djeshme në minierën e Munellës në Pukë, ka sjellë akuza dhe kundër akuza ndërmjet kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe Ministrisë së Energjitikës e vetë ministrit Gjiknuri.

Pas publikimit nga Basha të një mesazhi nga një minator i Munellës ku ai akuzonte qeverinë se ngjarja e ndodhur ishte e paralajmëruar pasi dihen ngahera problemet që kanë minatorët e kësaj minere, i menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i ministrit Gjiknuri. Duke qënë se në mesazhin e Bashës akuzohen inspektorët e ministrisë se janë korruptuar nga pronarët e minerës për të paraqitur një raport sikur nuk ka probleme, Gjiknuri është kundërpërgjigjur duke thënë se së pari Basha duhet të kërkojë falje për identitetin e gabuar të viktimës por po ashtu nuk duhet të mos përdorë vdekjet për politikë dhe të mos merret me mesazhe anonime.
 
Më parë ka qenë kreu i PD i cili ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për indiferencë ndaj kushteve të sigurisë në punë, të cilat sipas tij kanë sjellë edhe vdekjen e minatorit 48 vjeçar.

Nga ana e saj në një reagim të menjëhershëm, Ministria e Energjitikës, i ka cilësuar spekulime akuzat e Bashës të cilat siç shprehet ministria kanë ardhur pa pritur përfundimin e hetimeve. Dhe sipas MEI e gjitha kjo ka vetëm një qëllim nga ana e Bashës, por vetëm përdorjen e vdekjes për qëllime politike. 

Ora 17:00 Gjiknuri i përgjigjet Bashës: Kërko falje për emrin e minatorit dhe mos përdor mesazhe anonime
Në një përgjigje për mesazhin e publikuar nga Basha, ministri Damian Gjiknuri ka reaguar duke thënë se kreu i PD pa mësuar ende identitetin e saktë të viktimës fillon e sulmon qeverinë. Sipas Gjiknurit, Basha së pari duhet tu kishte kërkuar ndjesë familjarëve për identitetin e gabuar të minatorit dhe më pas të vërtetonte që nuk e përdor vdekjen për politikë. Po ashtu thotë Gjiknuri, Basha ka zgjedhur të përgjigjet me mesazhe anonime pasi nuk i bëjnë më përshtypje gënjeshtrat.
 
Ende pa mësuar identitetin e saktë të viktimës që humbi jetën ditën e djeshme në minierën e Munellës, Kryetari i Partisë Demokratike nxitoi të sulmojë qeverinë. Nëse vërtet merakoset për jetën e minatorëve dhe kushtet e tyre të punës, z.Basha duhet të kishte mirësinë që së paku tu kërkonte ndjesë familjarëve për deklarimin e një identiteti të gabuar të viktimës. Kështu, do të mund të bëhej sado pak i besueshëm e të provonte se nuk e përdor vdekjen për motive të pastra politike. Zgjodhi të përgjigjet me mesazhe anonime. Lulit ka kohë që nuk i bëjnë përshtypje gënjeshtrat. Keqardhje për këtë nivel të ulët të të bërit opozitë duke përdorur viktimat.

Ora 18:26 Basha publikon mesazhin e një minatori të Munellës ku akuzon qeverinë për neglizhencë në lidhje me tragjedinë‏
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka publikuar mesazhin që i ka dërguar një minator i Munellës. Më mesazhin e publikuar nga Basha, minatori i kërkon këtij të fundit që ai ta çojë çështjen e minerës dhe të sigurisë së saj deri në kuvend pasi në të nuk ka asnjë kusht sigurie dhe vdekja e minatorit dje ka qënë e paralajmëruar. Minatori i ka shkruar Bashës se ata janë të rrezikuar çdo ditë dhe këtë e dinë fare mirë, megjithatë ndonëse kishin kërkuar një kontroll nga RISHMIT, firma që shfrytëzon minierën i ka korruptuar inspektorët.   
 
Ja mesazhi i plotë i minatorit që publikoi Basha
 
Zoti Basha ju faleminderit që përmende tragjedinë e Munellës sepse unë vetë jam minator prej 5 vjetësh në këtë minierë dhe sa për dijeni këtë herë në këtë rast është tragjedi e paralajmëruar të paktën 1 vit më parë. Ne punëtorët e Munellës e dimë fort mirë se miniera është jashtë çdo kushti minimal të sigurimit teknik që aty të punohet. Ka rrezik nga shembjet masive dhe më e keqja ka një ajër të ndotur nga mjetet motorike që çdo ditë na vret nga pak. Kemi kërkuar nga shteti që miniera të inspektohet nga inspektorët e RISHMIT, por mesa duket firma që kryen shfrytëzimin ka qenë e aftë jo veç te korruptoj inspektorët por deri tek ministri sepse ministria ka paralajmëruar firmën për kryerjen e këtij inspektimi 3 ditë përpara se të vijnë prandaj ky inspektim nuk mund të quhet rutinë. Zoti Basha ju lutem çojeni këtë problem në parlament sepse kjo që i ka ndodhë shokut të punës mund të na ndodhë edhe ne dhe në mënyrë që ata inspektorë të RISHMIT mos të na vrasin prapë dhe ministri të kërkojë falje para nesh sepse mëkati i vdekjes së shokut tonë rëndon i gjithi mbi të!!! Me respekt nga një grup minatorësh nga Munella. Ju lutem veproni sa ma shpejt sepse vdekja nuk fal"

Ora 11: 45 MEI: Akuzat e Bashës pa pritur hetimin, për qëllime politike
Ministria e Energjitikës përmes një komunikate për shtyp ka reaguar ndaj Kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha, ku ky i fundit akuzoi se vdekja e minatorit Gjovalin

Prenga ditën e djeshme në minierën e Munellës në Pukë ka ardhur si rezultat i indiferencës qeveritare për kushtet e sigurisë në punë.

Në reagimin e saj, Ministria e Energjitikës, shprehet se është për të ardhur keq që akoma pa pritur hetimet për ngjarjen në fjalë, kreu i PD nxiton të hedhë akuza ndaj qeverisë për të përdorur politikisht çdo vdekje.

Duke i shprehur ngushëllime familjes, Lidhur me vdekjen e minatorit, MEI thekson se kanë nisur hetimet dhe në përfundim të tyre do të merren masat përkatëse për përgjegjësit për vdekjen e minatorit 48 vjeçar.

Në këtë drejtim Ministria e Energjitikës shprehet se në ndryshim nga koha e PD, ku për çdo aksident në minierë u vihej faji viktimave, tani më nisin hetimet dhe përgjegjësit dënohen.

Sipas Ministrisë, në kohën e qeverisjes së PD u lëshuan në mënyrë ilegale pa respektuar kushtet e punës dhe të sigurisë 1200 leje minerare, të cilat siç nënvizohet në më shumë se 1 vit e gjysëm janë anuluar nga qeveria aktuale 200 prej tyre.

Më poshtë reagimi i plotë i Ministrisë së Energjitikës:
Ministria e Energjisë dhe Industrisë shpreh keqardhje për deklaratat e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili pa pritur hetimet për ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në minierën e bakrit në Munellë, gjen rastin të spekulojë dhe përdorë politikisht çdo vdekje. Me të marrë njoftimin për aksidentin me pasojë vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga, punonjësit e Repartit të Inspektim, Shpëtim Minierave kanë mbërritur në vendin e ngjarjes për të kryer verifikimet dhe nxjerrë përgjegjësitë. Duke i shprehur ngushëllimet më të thella familjes së minatorit të vdekur, Ministria e Energjisë dhe Industrisë garanton se shumë shpejt RISHM-i do të publikojë rezultatin e hetimit dhe do të merren masat përkatëse për aksidentin. Ministria e Energjisë dhe Industrisë i kujton opinionit publik se gjatë tetë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, zonat minerare u parcelizuan në mënyrë kriminale. Qeveria e mëparshme lëshoi mbi 1200 leje minerare pa pyetur për kriteret e sigurisë së punës për minatorët dhe as për të ardhurat në Buxhetin e Shtetit. Në më shumë se një vit e gjysmë qeverisje, kemi kryer kontrolle të vazhdueshme dhe të befasishme në subjektet minerare në të gjithë vendin. Kontrolle që nuk ishin bërë prej shumë vitesh duke lënë minatorët në mëshirën e fatit. Janë anuluar mbi 200 leje minerare të cilat nuk respektonin kriteret e sigurisë dhe nuk shlyenin detyrimet që kishin ndaj shtetit. Janë pezulluar pjesërisht në aktivitetin e tyre qindra subjekte të tjera deri në plotësimin e kushteve të sigurisë. Janë fshirë nga regjistrat mbi 300 leje të tjera të cilat rezultonin fiktive, abuzive dhe pa asnjë aktivitet minerar. Ndryshe nga vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, kur pas aksidenteve u vihej faji viktimave, çdo aksident i ndodhur në miniera është hetuar me seriozitet dhe janë marrë masa të rrepta deri në revokimin e lejeve minerare. Në zbatim të ligjit të ri për minierat, shumë shpejt do të zgjidhet plaga e mbivendosjeve të lejeve minerare, kryesisht në rajonin krommbajtës të Bulqizës. Do të anulohen të gjitha mbivendosjet e lejeve minerare të dhëna gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, e që kanë krijuar jo vetëm rrezikshmëri për punën e minatorëve por edhe deri konflikte me pasojë jetë njerëzish.
Ndryshe nga zoti Basha që preferon të derdhë lot krokodili e të përdorë politikisht vdekjet e minatorëve, qeveria ka bërë realitet uljen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe ka rritur ndjeshëm pensionet për 3840 minatorë. Në vend që të heshtë për katrahurën që qeveria e tij ka lënë trashëgimi në industrinë minerare, kryetari i Partisë Demokratike zgjedh sot të spekulojë për përfitime të pastra politike.


Ora 10:03 Vdekja e minatorit, Basha: Rama dje derdhte lot krokodili sot i braktis
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar për vdekjen e minatorit Gjovalin Prenga ditën e djeshme në minierën e Munellës në Pukë, si pasojë e shembjes së dheut.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryetari i PD Basha, teksa shpreh ngushëllimet e tij familjes së të ndjerit, thekson se vdekja sipas tij ka ardhur si pasojë e braktisjes së minatorëve nga ana e qeverisë.

Në fjalën e tij, Basha akuzon qeverinë të cilën sipas tij deri sa pa ardhur në pushtet “derdhnin lot krokodili për çdo aksident miniere” duke u betuar se do të rrisnin sigurinë në punë. Por sipas Bashës, pas ardhjes në pushtet qeveria aktuale i ka braktisur minatorët, si shumë njerëz të punës.

Në fund kreu i PD, dënon edhe heshtjen e kryeministrit, që sipas tij e ka mendjen të japë shfaqje me keca e manare dhe jo tek hallet e qytetarëve.

“Tragjedi njerezore dhe indiference qeveritare ne minierat shqiptare. Dje vdiq nga shembja e galerise ne Munelle, Gjovalin Mark Ndreca, baba i dy femijeve, nga fshati Kimez, i komunes Gjegjan. Familjes Ndreca dua ti percjell edhe publikisht ngushellimet e mija per humbjen dhe dhimbjen e madhe. Asnje fjale nga kryeministri dhe manaret e tij. Heshtje dhe indiference qe vret. Jetet e minatoreve nuk kane asnje vlere. Deri dje hidhnin lot krokodili per cdo aksident miniere dhe betoheshin se do rrisnin sigurine por kur erdhen ne pushtet i braktisen edhe minatoret si shume njerez te punes. Ne 1 vit e gjysem ka patur me shume viktima ne minierat shqiptare se asnjehere me pare. Braktisja ndihet kudo. Kryeministri dje jepte shfaqje me keca dhe manare por nuk gjeti kohe as te ngushellonte njerezit qe flijoheshin ne minierat e vendit. Kjo qeveri e ka hallin dhe mendjen vetem tek vetja.” shkruan Basha në Facebook. 

basha fb

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë

Shtyhet votimi në OKB për rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë