POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Kriza financiare në Turqi risjell frikën për goditje në mbarë botën

Donald Trump dhe Erdogan

Kriza e frikshme financiare e një dekade më parë është rikthyer të godasë këto ditë, në zemër të ekonomisë globale, bankat e rëndësishme strategjike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë. Për rimëkëmbje u desh kohë dhe pas “goditjes” së madhe të 2008-ës, pati një sërë minikrizash pasuese. Këtë herë, është Turqia që po trondit tregjet, por zanafilla duhet kërkuar në SHBA.

Lira turke ra me thuajse 9 për qind mëngjesin e të hënës, ndërkohë që euro arriti pikën më të ulët në një vit, pasi investitorët i frikësohen faktit se kriza financiare turke mund të përhapet në tregjet europiane. Në orët e para të mëngjesit, lira arriti pikën më të ulët të të gjitha kohërave, me 7.24 kundrejt dollarit amerikan, përpara se të ringrihej sërish, pasi rregullatori bankar i vendit njoftoi orët e vona të natës së të dielës se do të kufizonte aftësinë e bankave turke për të këmbyer lirën, e goditur thellë, me valutë të huaj.

Tregjet aziatike të bursave pësuan gjithashtu rënie të hënën. “Nikkei” i Japonisë humbi 1.7 për qind; Hong Kongu e nisi me një rënie 1.8%; Shanghai me -1.7 për qind; Sydney me -0.5 për qind; ndërsa bursa tajvaneze ra me 3%. Po kështu, shifrat negative përfshinë Evropën, por edhe Amerikën.

Euro ka humbur 0.3 për qind të vlerës, duke kapur nivelin më të ulët njëvjeçar kundrejt dollarit amerikan këtë të hënë, pasi rënia e lirës turke nxiti kërkesën për valuta të sigurta, përfshi këtu dollarin, frangën zvicerane apo jenin japonez.

Ekziston gjithashtu shqetësim se monedha të tjera të tregjeve në zhvillim, që deri më tani kanë qenë nën presion nga rritja e dollarit amerikan, mund të bien në spiralen rënëse të lirës turke. Rubla ruse dhe rupia indiane kanë rënë gjithashtu në nivele të ulta rekord.

Vendimet

Lira ka pësuar një zhvlerësim prej mbi 40 për qind brenda këtij viti, pas shqetësimeve për rritje të kontrollit të Erdoganit mbi ekonominë dhe përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, kryesisht për shkak të luftës në Siri. Vendimi i gjykatës turke për të zgjatur burgimin e Andrew Brunson, një pastor amerikan i akuzuar për spiunazh në favor të militantëve kurdë dhe lëvizjen gyleniste – grup ky i akuzuar për organizimin e grushtit të shtetit të vitit 2016, – bëri që gjërat të përplaseshin hapur me Donald Trumpin, i cili u kundërpërgjigj javën e kaluar duke dyfishuar tarifat mbi çelikun dhe aluminin turk që importohen në SHBA.

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan duket i palëkundur në qëndrimet e tij. Ai fajësoi dje Shtetet e Bashkuara për acarimet mes dy vendeve që rezultuan në tarifa ndëshkimore e në rënie drastike të lirës turke. Erdogan akuzoi dje Shtetet e Bashkuara se po përpiqenta godasin pas shpine Turqinë, pas incidentit diplomatik me pastorin amerikan dhe tronditjen e tregjeve që pasoi këtë incident.

Ju silleni nga njëra anë si partner strategjik, por qëlloni me breshëri tek këmbët partnerin tuaj strategjik. Ne jemi anëtarë në NATO-s, ndërsa ju na godisni në shpinë. Si mund të pranohet kjo.

Erdogan, presidenti turk

Erdogan mbajti dje një konferencë për shtyp në Ankara, pas jehonës ndërkombëtare që ka shkaktuar acarimi i marrëdhënieve mes Ankarasë dheUashingtonit, lidhur me fatin e pastorit amerikan Brunson. Shtetet e Bashkuara kërkojnë lirimin e pastorit që mbahet nën arrest nga autoritetet turke.

 Uashingtoni i kishte dhënë afat Ankarasë deri të mërkurën e kaluar për lirimin e zotit Brunson. Ankaraja, e cila e akuzon pastorin se ka bashkëpunuar me klerikun Fetullah Gulen, një armik i betuar i Erdoganit, nuk e liroi Brunsonin, duke u bërë shkas për tarifa ndëshkimore amerikane tënjoftuara javën a kaluar.

Të premten presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi përmes Twitterit se kishte autorizuar dyfishimin e tarifave kundër Turqisë.

Tani tarifa mbi aluminin turk do të jetë 20% dhe mbi çelikun turk arrin në 50%.

Donald Trump, president i SHBA-ve

Përpjekjet

Tani zyrtarët turq po përpiqen të qetësojnë investitorët duke njoftuarse kanë përgatitur një “plan veprimi” për të stabilizuar luhatjet në tregje qësollën rënien e lirës turke. Banka Qendrore e Turqisë njoftoi se ka marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të ndihmuar bankat turke të menaxhojnë likuiditetet. Lira turke është rimëkëmbur nga niveli rekord i ulët prej 7.24 kundër dollarit në nisje të javës, ndërkohë që Banka Qendrore premtoi se do të ofrojë likuiditet dhe të ulë rezervat e detyrueshme në lira dhe valutë të huaj për bankat turke.

Ky lajmërim vjen pas deklaratës së Ministrit të Financave, Berat Albayrak, i cili tha se autoritetet do të nisin zbatimin e një plani ekonomik të hënën, pas përmbysjes së valutës ditën e premte, që u përhap në tregjet globalë.

Banka Qendrore bëri të ditur ka ulur normën e rezervës së detyrueshme për lirën me 250 pikë bazë apo 2.5% për të gjithë intervalet e maturiteteve dhe ka reduktuar rezervën për detyrimet në valutë të huaj me 400 pikë bazë për maturitetet në mbi 3 vite. Këto veprime do të lirojnë 10 miliardë lira, 6 miliardë dollarë dhe ar në vlerën e 3 miliardë dollarëve në sistemin financiar, sipas bankës qendrore. Institucioni deklaroi gjithashtu se do të ofrojë “të gjithë likuiditetin që u nevojitet bankave”. Valuta ndaloi rënien pas komenteve të ministrit të Financave dhe u rimëkëmb lehtë në 6.4 dollarë, pas deklaratës së Bankës Qendrore.

Por gjendja nuk është kaq e lehtë.

Rënia e lirës turke është vetëm fillimi i një krize të vërtetë ekonomike, ndoshta i një recesioni ekonomik në Turqi. Duhet të shohim ndryshime reale në politikat ekonomike. Presidenti Erdogan duhet të rikthejë besimin e investitorëve se banka qendrore është institucion i pavarur dhe se synimi i saj i vetëmështë të luftojë inflacionin. Kjo nënkupton rritjen e normave të interesit në Turqi.

Thotë ekonomisti Carsten Brzeski

Presidenti turk është kundër idesë së ngritjes së interesave. Por, pa rritjen e normave të interesit, autoritetet në Turqi e kanë të vështirë të kontrollojnë rritjen e inflacionit, që është acaruar edhe më tej me zhvlerësimin e lirës.

Kur rubla ruse ra me një shumë të ngjashme në 2014-ën, Banka Qendrore Ruse reagoi duke rritur normat e interesit me 6.5 pikë përqindje dhe njoftoi masa për të mbështetur sistemin bankar. Rusia kishte nxjerrë mësime nga kriza e saj e mëparshme, jo më pak nevoja për rezerva të mjaftueshme valutore për të ndihmuar në mbrojtjen e kursit të këmbimit. Turqia nuk ka xhepa të thellë dhe ka një president, Rexhep Taip Erdogan, i cili ka vendosur që reagimi konvencional me norma më të larta interesi ndaj një monedhe në zhytje, nuk është veprimi i duhur.

Erdogani është një nga modelet e tanishme të liderëve të fuqishëm por ka fatkeqësinë se duhet të dalë kundër dikujt që është shumë më i fortë se ai. Marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-ve nuk janë të mira. Shtëpia e Bardhë është e pakënaqur që Erdogani ka vendosur për të blerë raketa ruse dhe jo amerikane.

Kur Donald Trump njoftoi sanksionet ekonomike kundër Iranit javën e kaluar, Erdogan me qëllim refuzoi të merrte pjesë. Erdogan ka këmbëngulur se ai nuk do të jetë i nënshtruar, por ka disa opsione realiste. Për të qenë të sigurt, Turqia mund të kërkojë të ushtrojë presion mbi Trump duke thënë se do të lërë NATO-n dhe do të krijojë lidhje më të ngushta me Rusinë. Erdogan mund të paralajmërojë BE-në se do të përballet me një hyrje të re të emigrantëve, nëse nuk negocion me Trump në emër të tij.

Por ajo që tregjet financiare kërkojnë, nuk janë lëvizje diplomatike që tregojnë rëndësinë gjeopolitike të Turqisë, por masa ekonomike për të parandaluar një cunami potencialisht shkatërrues të shitjes gjatë ditëve të ardhshme. Në këtë drejtim, dështimi për të trajtuar shenjat e telasheve më herët, do të jetë i kushtueshëm.

Përgjigjja e Erdoganit ndaj krizës financiare, që ndjekësit e tij duhet të kryejnë detyrën e tyre patriotike dhe të shkëmbejnë shpejt dollarët amerikanë me një lirë gjithnjë e më të pavlefshme turke, është qesharake. Në të vërtetë, ajo thjesht do të shtonte besimin në tregjet financiare botërore, se Turqia po udhëhiqet nga një njeri që ka humbur kontaktin me realitetin.

Duke gjykuar nga veprimet e tij deri më tani, veprimi i ardhshëm i Erdoganit do të jetë vendosja e kontrolleve të kapitalit. Megjithatë, siç thekson Paul Greer i Fidelity International, Turqia është një ekonomi relativisht e hapur dhe kërkon një sasi të madhe të financave nga jashtë. Kontrollet e kapitalit nuk do të funksiononin më vete dhe do të duhej të plotësoheshin nga një paketë shpëtimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Është ose kjo, ose një shfaqje e shokut dhe frikës nga Banka Qendrore. Turqia po i mbaron mundësitë dhe madje edhe kohën në dispozicion. Dhe kjo duhet të jetë një shqetësim për të gjithë.

ke.mu./ma.nd.
Komento