POP 5

Lajmet më të lexuara të 5 minutave të fundit

Në fjalimin e fundit përpara ligjvënësve, presidenti Ivanov bën thirrje kundër marrëveshjes së Prespës

Presidenti Gjorgje Ivanov, në parlamentin maqedonas

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov është shprehur në fjalimin e fundvitit në parlament, që ishte njëkohësisht edhe fjalimi i tij i fundit përpara ligjvënësve, në kundërshtim të marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, ashtu sikurse edhe ndaj ligjit për gjuhën shqipe.

Ai u bëri thirrje ligjvënësve që ta hedhin poshtë marrëveshjen e Prespës duke mos i votuar ndryshimet e pritshme kushtetuese, ndonëse këto të fundit janë kushti kryesor i përparimit të Maqedonisë drejt integrimit në NATO dhe BE. Ivanov shtoi se çështja e emrit dhe identitetit është më e vjetër se çdo kushtetutë, qeveri, parti dhe president. Ai u shpreh se asnjë individ dhe asnjë gjeneratë nuk të drejtë të bëjë “pazare” me emrin dhe identitetin e Maqedonisë.

Ivanov foli edhe për ligjin e gjuhëve, duke e cilësuar shkelëse të Kushtetutës. Sipas presidentit Ivanov, ligji, i cili parasheh një shtrirje të gjerë të përdorimit të shqipes, do ta bllokojë Maqedoninë.

Krahas marrëveshjes së Prespës dhe ligjit të gjuhëve, Ivanov lëshoi edhe një sërë kritikash kundër qeverisë, ndërsa la të kuptohej se ai dhe familja e tij po përgjohen nga shërbimi sekret.

Në fjalimin e fundit të Gjorgje Ivanovit, deputetët shqiptarë nuk ishin të pranishëm në sallë. Presidenca dhjetë-vjeçare e Ivanovit, të cilës i përfundon afati në fillim të muajit maj, është shoqëruar me një sërë përplasjesh me eksponentët politikë të shqiptarëve, por dhe me Lidhjen Social-Demokrate.

a.s.
Komento