Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov është shprehur në fjalimin e fundvitit në parlament, që ishte njëkohësisht edhe fjalimi i tij i fundit përpara ligjvënësve, në kundërshtim të marrëveshjes së Prespës për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, ashtu sikurse edhe ndaj ligjit për gjuhën shqipe.
Ai u bëri thirrje ligjvënësve që ta hedhin poshtë marrëveshjen e Prespës duke mos i votuar ndryshimet e pritshme kushtetuese, ndonëse këto të fundit janë kushti kryesor i përparimit të Maqedonisë drejt integrimit në NATO dhe BE. Ivanov shtoi se çështja e emrit dhe identitetit është më e vjetër se çdo kushtetutë, qeveri, parti dhe president. Ai u shpreh se asnjë individ dhe asnjë gjeneratë nuk të drejtë të bëjë “pazare” me emrin dhe identitetin e Maqedonisë.
Ivanov foli edhe për ligjin e gjuhëve, duke e cilësuar shkelëse të Kushtetutës. Sipas presidentit Ivanov, ligji, i cili parasheh një shtrirje të gjerë të përdorimit të shqipes, do ta bllokojë Maqedoninë.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate%20shqiptarja.png)
Krahas marrëveshjes së Prespës dhe ligjit të gjuhëve, Ivanov lëshoi edhe një sërë kritikash kundër qeverisë, ndërsa la të kuptohej se ai dhe familja e tij po përgjohen nga shërbimi sekret.
Në fjalimin e fundit të Gjorgje Ivanovit, deputetët shqiptarë nuk ishin të pranishëm në sallë. Presidenca dhjetë-vjeçare e Ivanovit, të cilës i përfundon afati në fillim të muajit maj, është shoqëruar me një sërë përplasjesh me eksponentët politikë të shqiptarëve, por dhe me Lidhjen Social-Demokrate.
/Shqiptarja.comKomente
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)