Trump niset drejt Europës për samitin e NATO-s dhe takimin me Putin

Trump niset drejt Europës për samitin e NATO-s dhe takimin me Putin

Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump nisi këtë të mërkurë udhëtimin e tij njëjavor në Europë, me kritika të ashpra ndaj aleatëve të NATO-s, duke parashikuar madje se “më i lehti” i takimeve gjatë udhëtimit të tij mund të jetë ai kokë më kokë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Ndërkohë që linte Shtëpinë e Bardhë për turneun e tij në 4 shtete europiane, Trump bëri shumë pak përpjekje për të garantuar aleatët, të shqetësuar nga rreziku që ai mund t’i shkaktojë paktit 69-vjeçar të mbrojtjes së përbashkët transatlantike, e me gjasë edhe nga “përqafimi” me Putinin gjatë samitit në Helsinki.

Trump tha këtë të martë se, “nuk mund ta deklaroj tani” nëse Putini është mik apo armik, por thjesht e quajti atë një “konkurrent”.

Komuniteti i shërbimeve sekrete amerikane ka dalë në konkluzionin se Rusia ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, për të favorizuar kandidaturën e Trumpit, e paralajmëron gjithashtu përpjekje të mëtejshme për ndërhyrje në zgjedhjet e mesmandatit të sivjetshme dhe ato europiane të vitit të ardhshëm.

Duke folur për reporterët përpara largimit nga Uashingtoni për në Bruksel, ku do të marrë pjesë në samitin e NATO-s, Trump e kritikoi paktin, duke thënë se “e thënë shkoqur, ai ndihmon më shumë ata, sesa neve”.

Trump u ka bërë presion vendeve anëtare të NATO-s të përmbushin detyrimin e tyre për shpenzime sa 2 për qind e GDP-ve të vendeve respektive në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024. Gjatë fushatës së tij presidenciale, ai sugjeroi se do t’i shkonte në ndihmë vetëm aleatëve të NATO-s që e përmbushin këtë detyrim, por kritika vijon edhe sot e kësaj dite.

Pas Belgjikës, rrugëtimi i Trumpit do të vijojë me Londrën, ku qeveria e kryeministres Theresa May është në kaos për shkak të planeve të saj për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Gjatë vizitës së tij në Londër, ai me gjasë do të pritet me protesta masive. Më tej, ndalesa e radhës do të jetë në Skoci, përpara se të përfundojë me takimin me Putinin në Helsinki të Finlandës.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj zotit Trump

Nju Jork, mbyllet dita e tretë e dëshmive në gjyqin penal ndaj zotit Trump