Burg pa afat për Ervis Martinajn, Amb.SHBA: Presim hetimin e plotë të tij, ligji të zbatohet edhe për Tahirin

20 Nëntor 2018, 18:55

Ambasada Amerikane ka komentuar këtë të martë dënimet e grupeve kriminale në vend.

Në rrjetet sociale si "Facebook" e "Twitter", Ambasada Amerikane shkruan se pas dënimit të Emiljano Shullazit dhe grupit të tij si dhe argumenteve të Gjykatës së Apelit të Tiranës për masën e sigurisë së Ervis Martinajt, ajo është tashmë në pritje të një hetimi të plotë ndaj këtij të fundit.

Ajo ka risjellë në vëmendje edhe hetimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke thënë se“presim që sundimi i ligjit të zbatohet”.

Ambasada shkruan në përfundim se gjendet në pritje të një përparimi të vazhdueshëm në fushën e sundimit të ligjit në Shqipëri. 

Ervis Martinaj, i akuzuar për vrasjen e Fabian Gaxhas dhe plagosjes së dy të tjerëve në Bllok, u dënua me 19 nëntor me burg pa afat. Për të, Prokuroria kishte kërkuar një masë sigurie prej 30 ditësh në burg, por Gjykata e Apelit të Tiranës me në krye Hysni Demirajn vendosi që ta rrëzonte këtë masë. Ka qenë pikërisht masa e ndërmarrë ndaj tij që ka sjellë edhe reagimin e sotëm të Ambasadës Amerikane.

Sa i takon hetimeve të ndërmarra ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kujtojmë se Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi që të zgjasë me tre muaj hetimet karshi tij, me argumentin se priten përgjigje nga letërporositë e Italisë dhe Malit të Zi. Hetimi ndaj ish-Ministrit të Brendshëm që mban numrin 313 ka nisur në 2017, ndërsa pas zgjatjes me dy herë, katër prokurorë kanë kërkuar kohë deri më 17 Janar 2019 për të marrë një vendim mbi këtë dosje. Tahiri është person në hetim si i dyshuar për veprën penale të korrupsionit pasiv dhe shpërdorimit të detyrës, ku me veprimet e mosveprimet e tij akuzohet se ka favorizuar grupin kriminal Habilaj.