Dita e 9-të, studentët protestojnë në dy grupe, para kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit

12 Dhjetor 2018, 11:00 | Përditesimi i fundit: 2018-12-12 13:30:51

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot, pak momente, pas nisjes së ditës së 9-të të protestës së studentëve. Ai u bëri thirrje protestuesve që të ulen dhe të dialogojnë. Sipas kryeministrit 8 pikat e kërkuara nga studentët për t’u plotësuar nga qeveria janë për të vetëm pikënisja e një faze të re transformimi të botës universitare dhe këtë transformim mund, duhet dhe do ta bëjnë së bashku qeveri dhe student, përmes një Pakti për Universitetin mes studentëve dhe qeverisë. Sipas Ramës adresimi i 8 pikave duhet të nisë pa humbur kohë që ulja e tarifave të studimit të mbyllet përpara pushimeve të Vitit të Ri. Rama përsëriti se është gati për dialog me studentët dhe pa asnjë kusht.

Protesta e studentëve hyn sot në ditën e 9-të. Pas një proteste maratone ditën e djeshme ku morën pjesë, sipas të dhënave të policisë, rreth 6500 studentë, përfshirë gjimnazistët dhe studentë nga rrethet, protesta u nda në tre grupime. Një pjesë e studentëve protestuan dje para Ministrisë së Arsimit, një pjesë e tyre para Kryeministrisë, ndërsa një pjesë tjetër protestuan tek rrethrrotullimi i Zogut të Zi. Një pjesë e vogël e studentëve e kanë kaluar natën para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Arsimit, duke përballuar temperaturat e ulëta gjatë natës, që kanë shkuar në minus 2 gradë C, ndërkohë që është e paqartë situata për vijimin e protestës. Megjithëse kryeministri Edi Rama u shpreh mbrëmjen e djeshme se është i gatshëm të përgjysmojë tarifat për të gjithë studentët,(LEXO KËTU), ende nuk ka një përgjigje nga këta të fundit. Ditën e djeshme skadoi edhe afati i vendosur prej tyre për qeverinë për të pranuar 8 kërkesat e tyre. Studentët protesojnë për përgjysmimin e tarifave për të gjitha ciklet e studimit, përfaqësimin e studenteve në senatin e akademik dhe bordet e universitetit si edhe rritjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në konvikte dhe bibloteka.