Në këtë 105-vjetor të lindjes figura e Janar Paços shfaqet në dritë më të plotë. Janë kolegët dhe nxënësit e tij, të cilët pa kurrëfarë kompleksi dhe xhelozie e cilësojnë sot Janaq Paçon si një nga mjeshtërit më të mëdhenj të skulpturës shqiptare. Duke folur për shpirtin e lirë të Janaq Paços, Hektor Dule, “Skulptor i Popullit” rrëfen se kujtimet janë, sa të vyera, por edhe plot dhimbje për vuajtjet që i shkatoi artistit sistemi komunist. Hektor Dule ka qenë nxënës i mjeshtrit të skulpturës dhe e vlerëson krijimtarinë e Janaq Paços në vlerën më sipërore, duke e lidhur, jo vetëm me vlerat artistike, por edhe me vlerat humane të artistit. Ja çfarë shkruan Dule për Janaq Paçon.
“Janaq Paço ka qenë pedagogu im në vitet e Liceut Artistik “Jordan Misja”, e mbaj mend mjaft mirë, se na ka dhënë mësim në vitin e tretë dhe të katërt në degën e skulpturës. Grupi ynë i skulpturës përbëhej nga Thoma Thomai, Muharrem Fejzo, Llukan Bushi, Sami Turku , ndërsa në lëndët e tjera si në vizatim kishim pedagogët Abdullah Cangonji (Emini) dhe Kel Kodhelin. Lëndën e skulpturës përveç Janaq Paços na e jepte mësim edhe Dhimo Gogollari, i cili sapo kishte mbaruar Liceun, ai ishte një skulptor i pjekur dhe punimet e tij janë ekselente.