Kryebashkiaku Beci: Vetëm Kir-Shosh e bllokuar për shkak të borës e dherave, shoferët të lëvizin vetëm me zinxhirë e goma dimërore në zonat malore

1 / 5
2 / 5
3 / 5
4 / 5
5 / 5
12 Janar, 19:56

Reshjet e borës vazhdojnë të jenë prezentë në qarkun e Shkodrës, ndër më të goditurit nga moti i keq për shkak të erës së fortë dhe stuhisë së dëborës.

Ndërsa në zonat malore të territorit të Bashkisë Shkodër është shënuar një ulje e ndjeshme e temperaturave.

Kryebashkiaku Benet Beci, me një postim në rrjetin social Facebook, njoftoi situatën më të fundit dhe masat e marra.

Aksi rrugor Bogë-Theth-Bregu i Lumit është i kalueshëm. Kurse aksi rrugor Kir-Shosh, i bllokuar për shkak të shembjeve të dheut dhe reshjeve të borës.

“Pas ndërhyrjes së punonjësve të OSHEE, është rikthyer furnizimi me energji elektrike në Njësitë Administrative Rrethina Gur i Zi, Ana e Malit dhe pjesërisht në Velipojë dhe Shalë. Grupet e OSHEE-së vazhdojnë punën në terren për rikthimin e energjisë në zonat ku ka ende probleme, të shkaktuara nga moti i keq, përfshirë reshjet e borës dhe stuhitë e erës”, shkruan Beci.

Më tej ai apelon për Kujdes te drejtuesit e mjeteve:

“Në zonat malore, qarkullimi duhet të kryhet vetëm me goma dimërore dhe zinxhirë për të siguruar sigurinë e lëvizjes”.

Strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Shkodër po mbajnë koordinim të vazhdueshëm me Qendrën Kombëtare të Emergjencave për çdo situatë që mund të krijohet nga moti i keq.