GREQI-Zbardhen detaje të reja nga operacioni që u zhvillua në Ekuador dhe në Athinë që u finalizua me arrestimin e nëntë personave, mes tyre grekë dhe një shqiptar që ishin drejtues të grupit kriminal.
Mediat greke shkruajnë se pagesën për 300 kg kokainë e kishte bërë mafia shqiptare. Shqiptari i arrestuar njihet me emrin Ilia 41-vjeç dhe është me precedent penal, pasi ka qenë arrestuar edhe në Itali për trafik droge.
Me shqiptarin bashkëpunonin edhe dy grekë në rol dytësor, Apostolis Leusis, djali i një astrologu dhe biznesmeni Vasilis Spiridonakos, pronar makinash.
Kokaina u gjet në një velierë dhe si destinacion kishte Australinë, ndërsa një pjesë e vogël ishte për tregun vendas në Greqi. Nga operacioni në Ekuador u sekuestruan 382 kg kokainë, ndërsa në Greqi u arrestuan 3 persona dhe u sekuestruan 2 pistoleta, 223 fishekë dhe 2 peshore.
Mediat greke kanë publikuar edhe fotot nga operacioni ku u sekuestrua kokaina në velierën që tashmë është sekuestruar, ndërsa operacioni vijon ende në disa shtete për të arrestuar bashkëpunëtorët.