Firmat private larguan 27 mijë punonjës në pandemi! Sigurimet Shoqërore: Nga sistemi i kontribuuesve dolën 56 mijë persona

1 / 4
2 / 4
3 / 4
4 / 4
4 Shtator 2020, 17:00

Në gjashtë muaj numri i kontribuuesve në sistemin e sigurimeve shoqërore, si pasojë e pandemisë COVID-19 ra ndjeshëm. Nga fillimi i vitit deri ne qershor mbi 56 mijë persona nuk figurojnë më të siguruar.

Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore në fund të qershorit numri i kontribuuesve ishte vetëm 673 mijë e 317 persona nga 729 mijë e 816 qytetarë që ishin në fund të vitit të kaluar.

Vetëm nga firmat private janë hequr nga puna rreth 27 mijë të siguruar. Ndikimi i pandemisë është i dukshëm, pasi goditja më e madhe vihet re tek të vetë-punësuarit, ku sipas statistikave janë të papunë mbi 6 mijë të tillë.

Kësaj shifre tashmë i shtohen edhe rreth 18 mijë të vetëpunësuar në bujqësi që nga janari në qershor kanë dalë nga sistemi i kontributeve. Po ashtu janë rreth 2 mijë e 371 të siguruar vullnetarisht më pak në sistem se në fund të 2019. Këto janë largimet nga puna që kanë ardhur si pasojë e pandemisë që mbërtheu vendin që në mars të këtij viti, dhe që u reflektua edhe në uljen drastike të të ardhurave.