FOTO/Ekspozohen në Kryeministri hartat e rralla 500-vjeçare me trojet shqiptare në Ballkan

1 / 8
2 / 8
3 / 8
4 / 8
5 / 8
6 / 8
7 / 8
8 / 8
17 Korrik 2018, 19:56

Një ekspozitë me harta që datojnë nga shek XV deri në shek XVIII është hapur në COD, nga koleksionisti kosovar Afrim Ethemi. Ekspozita titullohet “Hartografia europiane dhe territoret shqipfolëse”.

Në këtë ekspozitë gjenden 36 harta dhe 5 atlase të rralla. Hartat datojnë që nga vitet 1500 e më pas dhe paraqesin kryesisht hartat e Europës, Europës Juglindore e sidomos Ballkanit, gjë që i jep kësaj ekspozite dhe koleksioni një karakter të veçantë.

Vetë kryeministri, Edi Rama, ka shkruar një status në facebook, duke bërë një ftesë të posaçme për koleksionin e artistit kosovar Afrim Ethemi. Kryeministri Edi Rama ka uruar mirëmëngjesin për ndjekësit e tij në facebook me pamje nga këto harta të ekspozuara në mjediset e COD.

“MIRËMËNGJES, dhe me këtë ftesë për të vizituar një ekspozitë të rrallë hartash të vjetra në Kryeministri (COD – hyrja qendrore) ju uroj një ditë të mbarë “, ka shkruar Rama.

I pranishëm në ekspozitë, autori Afrim Ethemi është shprehur për “Shqiptarja.com” se pasioni i tij për koleksionet e hartave të vjetra ka lindur rastësisht “Koleksioni i hartave lidhet me një  histori shumë të veçantë nga rinia ime studentore. Kur isha në Akademinë e Arteve të Bukura në Bruksel në vitet ‘70-’74, ku përfundova studimet për dizajnin grafik dhe arkitekturë. Për fatin tim, Akademia kishte objekte të vjetra. Një ditë, unë  u ndala para një harte të vjetër që më pëlqeu dhe nuk e dija se çfarë përfaqësonte. Sot atë nuk e gjen më atje... Kështu nisi”, rrëfen Afrim Ethemi.

Ndërsa zbulon harta nga Europa, Afrim Ethemi nuk mund të mos impresionohet nga vendndodhjet e mëhershme të trojeve shqiptare në territorin e Ballkanit, të cilat shihen të shtrira në hapësira të mëdha dhe pa kufij ndarës.

b.ha./Shqiptarja.com