SHKODËR- Pastrimi i qytetit të Shkodrës është paralizuar, për shkak se landfilli i Bushatit ka ulur traun dhe nuk lejon asnjë kompani që të depozitojë mbeturinat e qytetit. Ky vendim vjen pas rritjes së çmimeve që ky landfill bëri, por që u kontestuan nga Bashkia e Shkodrës, ku kryebashkiakja Voltana Ademi e quajti mafioze.
Siç shihet në fotot që gazetari i Report Tv sjell, Ergys Kavaja, landfilli mbyllur derën duke lënë në pritje disa kamionë.Këshilli Bashkiak i Vaut të Dejës votoi rritjen e tarifës së përpunimit të mbetjeve urbane në landfillin e Bushatit. Shoqëria nderkomunale Bushat kërkoi një rritje e pagesës me 43 % të tarifës së depozitimit të mbetjeve urbane në këtë landfill, nga 863 lekë në 1500 lekë për ton mbetje të depozituar dhe tarifa e re pritet të aplikohet në fillim të 2021 për bashkinë e Shkodrës dhe të Lezhës. Kjo për kryebashkiaken Ademi do të thotë një kosto shtesë prej 26 milionë lekë të reja në vit, peshe për banorët dhe bizneset, prandaj kërkoi ndërhyrjen e Ministrisë së Infrastrukturës.












