EUROPË - Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit, Europol ka identifikuar rritjen e hedhjes së paligjshme të mbetjeve spitalore COVID. Si pasojë, në bashkëpunim me autoritetet e 30 vendeve ka nisur operacionin Retrovirus ku ka kryer kontrolle në disa shtete. Oficerët kryen inspektime dhe kontrolle në impiantet dhe mjetet e transportit të mbetjeve sanitare, të cilat ishin vendimtare për trafikimin e paligjshëm, ruajtjen, hedhjen dhe transportimin e mbeturinave. Në kuadër të operacionit të koduar Retrovirus janë kryer 278.291 inspektime në Spanjë, Portugali, Çeki, Rumani, Sllovaki dhe Poloni ku janë arrestuar 102 persona.
Mësohet se nga ky operacion nuk është kryer asnjë inspektim në Shqipëri, por autoritetet vendase kanë marrë pjesë në operacionin në vendet e huaja. Janë marrë masa kundrejt 819 subjekteve dhe individëve teksa janë sekuestruar asete me vlerë deri në 800 mijë euro. Njësia mjedisore e Gardës Civile Spanjolle, SEPRONA (Guardia Civil) hetoi aktivitetet e një kompanie që vepron në Barcelonë, Madrid, Murcia, Valencia, Tarragona dhe Zaragosa. Kompania kishte lidhje me një organizatë tjetër që vepronte në Lisbonë, Portugali. Oficerët spanjollë ushtruan kontrolle në 9 ambiente dhe arrestuan 20 persona për krime kundër mjedisit, të drejtave të punës dhe shëndetit publik. Mbeturinat sanitare, të mbledhura nga kompania, normalisht supozohet të sterilizohen në presion të lartë për të eleminuar të gjithë përbërësit e rrezikshëm. Për të rritur fitimet, kompania zvogëloi kohën e trajtimit. Kjo rezultoi që mbeturinat të mos jenë sterilizuar siç duhet përpara hedhjes, një trajtim ky që rrit rrezikun për shëndetin. Në Portugali, Garda Kombëtare e Republikës (Guarda Nacional Republicana) inspektoi më shumë se 2.000 kompani, spitale dhe qendra shëndetësore. Aktivitetet çuan në shkelje administrative, 30 arrestime dhe konfiskime të pasurive me vlerë gati 790.000 €.