Kukës, bie bora e parë për këtë vit (FOTO)

1 / 4
2 / 4
3 / 4
4 / 4
27 Shtator 2020, 12:36

Dimri duket se këtë vit do të trokasë më shpejt në Verilindje. Bora e parë e këtij viti zbardhi majat e Gjalicës, Koretnikut por edhe malet e Sharrit në Kosovë. Megjithëse në sasi të pakët, bora zbriti pas mesnate për shkak të temperaturave të ulta që përfshinë verilindjen, menjëherë pas ndërprerjes së reshjeve të shiut. Duket se veç zbardhjes së maleve, bora ndikoi edhe në përmirësimin e situatës pas reshjeve.

Kthjellimet dhe dielli i zunë vendin vranësirave dhe reshjeve të dendura të shiut që mbajtën zonën për tre ditë me radhë. Kjo verë e pazakontë do të mbahet mend gjatë për thatësirën e tejskajshme, temperaturat e larta deri në këtë fund shtatori e mungese reshjesh. Ne fakt reshjet dhe rrebeshet e shiut në këto tre ditë, krahas problematikave që sollën në infrastrukturën dhe energji elektrike, dhanë efektet e tyre në përmirësimin e situatës hidrike në vend. Kështu prurjet e lumenjve që furnizojnë liqenin e Fierzës shënuan 240 metër kub ujë në sekondë ndërsa kuota e liqenit të Fierzës u rrit në 272,8 metra mbi nivelin e detit e me tendencë rritjeje në orët e ditët në vijim.