Nxënësit dhe mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Edit Durham” iu bashkuan ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë vizitës në fshatin Bubq dhe Mazhë e Madhe, një prej zonave më të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit. Nxënësit kishin përgatitur dhurata për 120 fëmijë të zonës, të cilat shfaqën dëshirën për t’i shpërndarë bashkë me mësuesit e tyre, gjatë vizitës së ministres Xhaçka pranë familjeve të strehuara në çadra në këtë zonë rurale.
Ministrja Xhaçka informoi banorët se, qeveria dhe grupet e ekspertëve po punojnë në garë me kohën për të përfunduar sa më parë verifikimi i dëmeve. “Shumë shpejt do të nisë edhe faza më e rëndësishme, ajo e rindërtimit, në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë. Do bëjmë çmos që, prioritet të kenë familjet me fëmijë të vegjël e që nuk mund të jetojnë në këto kushte. Kuptoj të gjitha vështirësitë dhe ne po punojmë në garë me kohën që rindërtimi i shtëpive të nisë sa më shpejt”, tha ministrja Xhaçka gjatë bashkëbisedimit me banorët e Bubqit dhe Mazhës së Madhe.