Mirjam Bruçeti, para shumë vitesh aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, sot, e ndan jetën mes Francës dhe Shkodrës, vendlindjes së saj të dashur e të shtrenjtë. Ardhja e saj në vendlindjes, është e shoqëruar përherë me një emocion disi të papërcaktuar. Ajo vjen, paksa, e heshtur, e përmalluar dhe pse jo edhe me lot në sy. Vjen me plot kujtime. Kërkon e zgjon kujtime. E përsëri kur kthehet në Francë rrugëtimi i saj i ngjan një kujtimi të pafund… Në jetën e saj qe fatlume, se në shumë pjesë teatrore interpretoi përkrah të shoqit, aktorit Viktor Bruçeti, një aktor i talentuar dhe me një diapazon të gjerë interpretativ. Ajo kujton: “Veçanërisht, pas viteve 2000 interpretuam me Viktorin në pjesët (shpesh spektakle), si në: “Mesazhi i dashurisë”, “Prifti dhe Kryetari i Bashkisë”, “Prona”, etj. (në Francë). Kurse në Kanada interpretuam poezitë e Camajt, Fishtës e Mjedjes. Janë kujtime të bukura dhe të pashlyeshme me Viktorin. Janë pasuri e vyer. Janë kujtesë.”
Mirjam Bruçeti (Topçija) lindi më 15.03.1949 në lagjen “Perash”, Shkodër. Shkollën 7-vjeçare e kreu në “Ali Laçej”, ndërsa të mesmen në Shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka”, në vitin 1966. Në gusht të po atij viti filloi punën si mësuese në Pukë. Më pas, në vitin 1967 e shohim mësuese në fshatin Vrakë, ndërsa vitet 1968-1970 e gjejnë në Shtëpinë e fëmijës parashkollore.
Mirjami, nga vitet 1970-1973 studion në Institutin e Lartë të Arteve (dega dramë) në Tiranë. Në gusht të vitit 1973 filloi punën si aktore në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës deri në vitin 2000, vit që del edhe në pension.











