TIRANË- Marsida Xhaferllari, e emëruar disa ditë më parë nga Presidenti Ilir Meta anëtare e Gjykatës Kushtetuese, përmes një dekreti që nuk njihet nga Kuvendi, kandidoi në fund të vitit 2017 për postin e Inspektores së Lartë i Drejtësisë. Në 2018, Xhaferllari kandidoi edhe për një vend vakant në Gjykatës Kushtetuese, i shpallur nga Presidenti Meta në 4 mars 2018. Për rrjedhojë, Xhaferllari u përfshi në dhjetor të 2017 në një listë prioritare me 57 emra, për t’ju nënshtruar Vetingut, ndonëse statusi i saj ishte i paqartë. Sipas ligjit, kandidatë për anëtar i Kushtetueses, duhet të kalojë Vetingun. Në 11 mars të 2019, Komisioni i Vetingut vendosi të mos marrë asnjë vendim për Marsida Xhaferllarin, me argumentin se kishte humbur statusin e gjyqtares, duke mbajtur pozicione të larta drejtuese në Ministrinë e Drejtësisë, jashtë afatit të parashikuar në ligj.
Por, dy muaj më para këtij vendimi, në 15 janar të 2019, ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj dhe Avokatja e Popullit Erinda Balanca kanë ‘qarë hallin’ se si do të bëhej Vetingu i kandidatëve për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, që vijnë jashtë sistemit të drejtësisë. Rastësi apo jo, Alibeaj dhe Balanca këmbëngulin gjatë në këtë pikë, për të gjetur një zgjidhje, ndërsa theksonin herë pas here se kandidati për në Kushtetuese duhet të kalojnë Vetingun për pasurinë. Shqetësimi tyre adreson pikërisht problemin e Marsida Xhaferllarit. Ndër të tjera Alibeaj shprehet se “ligji për Gjykatën Kushtetuese përcakton në nenin 7/A të tij kushtet dhe kriteret. Pika 1 shkronja “dh”, thuhet të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe familjare të tij sipas ligjit”. Megjithatë, Partia Demokratike dhe Avokatja e Popullit Erinda Balanca u pozicionuan ditët e fundit në krah të Presidentit Ilir Meta, i cili emëroi Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese pa kaluar Vetingun, jashtë afatit 30 ditor të parashikuar në ligj dhe për më tepër në një pozicion që konsiderohet i plotësuar nga Arta Vorpsi.












