TIRANË- Në ditën e 16-të, protesta e banorëve të Astirit kundër projektit të "Unazës së Madhe" i cili prek banesat e tyre, ka nisur me përplasje me policinë. Siç kanë bërë çdo ditë, edhe sot banorët kanë bllokuar rrugën, duke krijuar kaos në trafik. Policia e ndihmuar edhe nga FNSH ndërhyri për të liruar rrugën, por ka hasur në rezistencën e banorëve, të cilët nuk pranojnë të largohen.
Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat për kundërshtim të forcave të rendit. Banorët tentuan gjithashtu të shkatërrojnë kantierin e firmës private që do ndërtojë "Unazën e Madhe". Protestuesit nuk kanë kursyer as kazanët e mbetjeve, të cilëve iu kanë vënë zjarri si dhe kanë hedhur kapsolla dhe tymuese në rrugë. Në mbështetje të tyre kanë shkuar sërish deputetët demokratë si Klevis Balliu dhe Flamur Noka.
Ndërkohë, ditën e sotme ka reaguar sërish edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar për këtë çështje. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një deklarate u ka bërë një thirrje të gjithë banorëve që preken nga ndërtimi i Unazës së Re dhe nuk kanë marrë ende kontakt me ARRSH-në, të paraqiten pranë institucionit me të gjitha dokumentet përkatëse. (Lexo këtu)
Banorët thonë se ditën e sotme në banesat e tyre ka shkuar Policia e cila ka kërkuar sipas tyre që të heqin makinat nga oborret pasi pritet që të nisë shembja. Lidhur me thirrjen që Autoriteti Rrugor Shqiptar iu ka bërë sot që të shkojnë dhe të sqarohen, banorët thonë se nuk kanë çfarë të sqarojnë dhe se kërkojnë dëmshpërblim.
Banorët e Astirit kanë hyrë sot në ditën e 15-të të protestës së tyre. Banorët kërkojnë dëmshpërblim në vlerën e tregut për banesat e tyre. Më datë 15 nëntor, ata protestuan përpara Bashkisë së Tiranës, duke hedhur molotov, tymuese dhe duke tentuar të futen me forcë brenda bashkisë. Nga protesta mbetën të lënduar 7 policë bashkiakë. Banorët e "Unazës së Re" po mbështeten që nga dita e parë e protestës nga e tërë Partia Demokratike. Kjo e fundit e ka cilësuar projektin e "Unazës së Madhe" një mashtrim, që nuk ka aspak transparencë ligjore. Bashkia Tiranë, nga ana tjetër, sqaron se banorët të cilët kanë shtëpi të palegalizuara do të mbështeten nga një bonus qiraje me afat 3-vjecar.
Për projektin e "Unazës së Madhe" parashikohet që të prishen 317 objekte, 163 prej të cilëve janë në proces legalizimi dhe do të skualifikohen dhe 123 janë me vërtetime pronësie. Mes banesave që janë prekur nga plani dhe pritet që të prishen është edhe ajo e Nexhmije Hoxhës,bashkëshortes së ish-udhëheqësit komunist, Enver Hoxha.