Autoritetet turke i kanë dhënë një tjetër goditje rrjetit të trafikantit shqiptar Met Kanani, i cili u arrestua pak ditë më parë pas një aksioni të antidrogës në qytetin e Bodrumit. Ai njihet si Eskobari i Shqipërisë, ndërsa pas hetimeve të autoriteteve turke u zbuluan edhe dy bashkëpunëtorë të tij dhe një magazinë ku kultivohej kanabis.
Magazina që përdorej për mbjelljen e kanabisit është zbuluar nga policia në Stamboll, ndërsa u gjetën të mbjella 218 rrënjë kanabis. Trafikantët kishin krijuar të gjitha kushtet për rritjen e lëndës narkotike. Përpos 218 rrënjë kanabis u sekuestruan edhe 6 çadra të përdorura për prodhimin e drogës, 3 ngrohje, 3 ventilatorë, 2 peshore dhe instrumente për matjen e temperaturës.
Met Kanani me orgjinë nga Memaliaj drejtonte rrjetin e trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Turiqsë, por edhe trafikun e heroinës nga Afganistani. Met Kanani fshihej prej vitesh në Turqi, por ai ka edhe një biznes në qytetin e Fierit. Duke iu referuar të dhënave të QKR-së Met Kanani është pronari i vetëm i kompanisë “Albtek”, me seli në Fier dhe që merret me tregti, eksport-import si dhe disa funksione të tjera.