TIRANE-Struktura “Forca e Ligjit” sekuestroi rreth 1 milion euro të dyshuara si të përfituara nga trafikimi i narkotikëve në Greqi. Report Tv mëson se shuma e sekuestruar i përket Roland Shëmbitrasit të vrarë në Greqi në vitin 2017 për pazaret e drogës dhe të familjarëve të tij.
Shqiptarja.com mësoi pak kohë më parë se Roland Shëmbitrasi i kishte transferuar paratë në llogaritë e babait Kasëm Shëmbitrasi 70 vjeç pensionist, vëllait dhe nipit të tij, më konkretisht Bernard Shëmbitrasi dhe Kristo Shembistrasi në Pogradec.
Hetimi i dosjes për pasurinë nisi nga prokuroria e Pogradecit, ndërsa më pas u transferua te prokuroria e krimeve të Rënda e cila pas disa letërporosive në Greqi vendosi sekuestrimin e llogarive bankare.
'Forca e Ligjit' i ka gjetur atij në total një pasuri prej rreth 1 milion euro. 514 milionë lekë të vjetra ishin në emrin e Roland Shëmbitrasit, ndërkohë që rreth 170 milionë lekë ishin në emër të Kasëm Shëmbitrasit.
Struktura ka sekuestruar gjithashtu edhe disa llogari të tjera të të afërmve të familjes së Shëmbitrasit, konkretisht, Bernard Shtembirasit 924 milionë lekë dhe Kristo Shëmbirasit. Në total shuma e sekuestruar sipas Policisë arrin në 111 milionë lek të reja.
Roland Shembitrasi i cili njihej me nofkën ‘tenxherja’ dyshohet se ishte kreu i një bande për trafikun e drogës në Greqi, ku pikërisht dyshohet se përplasjet për drogën sollën edhe vrasjen e tij.
Në tetor të 2017, sipas mediave greke dy persona iu afruan pranë tavolinës ku po qëndronte Shëmbitrasi në lokal dhe e qëlluan me armë duke e lënë të vdekur. Ndërkohë që nga ngjarja mbeti i plagosur edhe një tjetër shqiptar, Gjergji Kapaj.