TIRANË- Qindra qytetarë pasditen e kësaj të mërkure kanë dalë në protestë përpara ministrisë së Brendshme, ku kërkojnë drejtësi për Klodjan Rashën, të riun që u vra në orën e para të mëngjesit të së martës nga efektivi i policisë. Me thirrjet "duam Drejtësi", "Poshtë komunizmi", por edhe sharje dhe ofendime në drejtim të Policisë së Shtetit, protestuesit e shumtë kërkojnë dorëheqjen e ministrit Sandër Lleshaj.
"Hiqni kapelet" është një tjetër thirrje që protestuesit thonë në kor në drejtim të uniformave blu. Në protestë nuk kanë munguar edhe përplasjet, ku protestuesit kanë goditur me sende të forta dritaret e Ministrisë së Brendshme, madje kanë tentuar që të futen brenda , por janë ndalur nga Policia. Në protestë, si pasojë e tensioneve me policët, një prej tyre ka mbetur i lënduar në kokë.











