TIRANE- Milioneri gjeorgjiano-izraelit Amiran Dzanashvili, i arrestuar në Rumani mes 22 personave për shfrytëzim prostitucioni dhe që në 27 shkurt të 2014 rezulton blerës me mbi 1.4 milion euro të 50 për qind të aksioneve të deputetit të PKD Mark Frroku, në kompaninë e basteve “Xhoi Lloto”, ka deklaruar se këtë shifër e ka të ligjshme dhe që rrjedh nga të ardhurat që gjenerohet nga bizneset e tij në disa vende të botës.

Në një dokument që ndodhet tashmë në dosjen e Prokurorisë së Përgjithshme ku flitet për deklarimin e shumës financiare për blerjen e aksioneve, gjeorgjiano-izraeliti Amiran Dzanashvili, ka treguar burimin e transaksionit bankar prej 1.4 milion euro nga llogaria e tij në llogarinë e deputetit Mark Frroku, i cili e ka hapur në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri.