Viku Kadëna, pronari i restorantit në Berat ku ndodhi edhe incidenti me turistët italianë në Berat të cilët ikën me vrap pa paguar, është prononcuar jashtë kamerave për gazetaren e Report Tv Mimoza Sinanaj.

Pamjet e një grupi turistësh italianë të cilët largohen me vrap pa paguar faturën për çfarë kishin konsumuar në restorant, bënë xhiron e rrjetit.

Report Tv mëson se bëhet fjalë për një bujtinë në lagjen “Mangalem” të Beratit, dhe gazetarja Mimoza Sinanaj, arriti të bisedojë me pronarin e bujtinës, Viku Kadëna.

Ai rrëfen se katër klientët italianë u shprehën të kënaqur dhe i falënderuan për ushqimin, dhe thekson se çmimet janë normale. Por në një moment, kur burrë dhe grua po u shërbenin klientëve të tjerë, shumica të huaj, grupi i italianëve u ngrit nga tavolina dhe u larguan me vrap nëpër rrugicat e lagjes historike të Beratit, pa e paguar faturën, rreth 80 euro.

“Jo se më krijuan humbje të madhe por le të bëhen shembull dhe t’i ekspozojmë këta njerëz të cilët ulin poshtë veten e tyre. Siç e kemi ne beratasit shprehjen "pastë dorën e mbar hajduti" ose t’i përdorini ato lekë për një gjë të mirë”, - është shprehur pronari i lokalit.

Një fenomen i tillë nuk i ka ndodhur kurrë – tregon pronari Kadëna.