PRISHTINE, 2 dhjetor/ATSH/. - Transporti publik, rehabilitimi i rrjetit rrugor, efiçienca e energjisë, infrastruktura e ujërave të zeza dhe trajtimi i tyre në të ardhmen, si dhe mbeturinat inerte, janë fusha që komuna e Prishtinës, po synon t'i rregullojë përmes një bashkëpunimi me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ben te ditur KosovaPress.
Kjo u biseduar sot gjatë një takimi që kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku më nënkryetarin dhe dy drejtore të komunës kanë pasur me udhëheqësin e zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në Prishtinë, Anton Kobakov.
Në një njoftim të komunës së Prishtinës thuhet se kryetari Ahmeti e ka mirëpritur këtë gatishmëri të BERZH-it për Komunën e Prishtinës, ndërsa thuhet të jenë dakorduar që gjatë javëve në vijim të përgatitet një memorandum i mirëkuptimit, i cili do të jetë udhëzues se në cilat fusha do të bashkëpunojnë Komuna e Prishtinës dhe BERZH.
Komuna thotë se me këtë memorandum planifikohet edhe përfshirja e konsulentëve që do të analizojnë opsionet që janë në dispozicion lidhur me Komunën e Prishtinës. "Në momentin kur Komuna do të përcaktohet për cilindo opsion, për çfarëdo lloj investimi, atëherë do të diskutohet për modalitetet konkrete të bashkëpunimit ku nënkuptohet vlera dhe mënyra e financimit", thuhet në njoftim. /a.ke/