Kryeministri Haradinaj e nisi vitin 2018 duke premtuar që çështjet e mëdha si demarkacioni, liberalizimi i vizave, ushtria e dialogu, do të gjejnë zgjidhje brenda këtij viti. Mirëpo opozita kosovare, duke parë punën e deritanishme të qeverisë “Haradinaj”, nuk ka shfaqur optimizëm që këto çështje do të marrin zgjidhje  gjatë vitit 2018, shkruan gazeta “Zëri”.

Deputetë nga lëvizja “Vetëvendosje” thonë se Haradinaj u mundua të gjejë zgjidhje, por që nuk punoi mjaftueshëm. Prandaj zgjidhja e këtyre çështjeve sipas tyre njëherë mbetet vetëm dëshirë. Në anën tjetër, deputetë nga Lidhja Demokratike e Kosovës thanë prerë për “Zërin” se qeveria “Haradinaj” nuk ka potencial që t’i shtyjë çështjet e mëdha përpara.

Ndërkohë edhe njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë thënë se zgjidhja e çështjeve që e preokupojnë Prishtinën zyrtare, për gati një dekadë do të jetë e vështirë përgjatë vitit 2018. Kryeministri Haradinaj premtoi që çështjet e mëdha që janë premtuar për vite me radhë e që ende nuk kanë marrë zgjidhje, siç janë demarkacioni, liberalizimi i vizave e ushtria, do të jenë prioritet për vitin 2018.

d.c./shqiptarja.com