TIRANE-  Pritet që ditën e sotme në gjykatën e Durrësit të zhvillohet masa e sigurisë ndaj Odise Verbofshit dhe bashkëpuntorit tjetër në krim, Gazep Pili të akuzuar për vrasjen dhe djegien e dy të rinjve në Shkozet të Durrësit, Shaban Babasit, 27 vjeç dhe Albert Kasallës, 32 vjeç.

Ndaj tyre prokuroria e Durrësit ka ngritur akuzat e “Vrasjes në rrethana cilësuese të një ose dy personave”, “Armëmbatje pa pa lejë”, “Dëmtimin e kufomave me zjarr”, dhe Prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike”.


Të dy autorët gjatë marrjes në pyetje kanë pranuar autorësinë e krimit. 

ARRESTIMI I VERBOFSHIT: I KISHA SHOKE, I VRAVA PER PARATE E DROGES
Odise Verbofshi u arrestua dje në tentativë për tu larguar jashtë Shqipërisë.  Verbofshi u arrestua në një shtëpi në fshatin Poloskë të Devollit. Policia e Durrësit zbuloi vendodhjen e Odise Verbofshit përmes përgjimeve telefonike.

Ai i kishte kërkuar ndihmë një shoku në telefon, për t’i kërkuar ushqim dhe i ka treguar se ndodhej në një pyll të vogël në rrethinat e Korçës. Policia e kishte përgjuar dhe lokalizuar vendin dhe më pas bëri arrestimin e tij.

”Erdha në Bilisht nga frika e hakmarrjes. Doja të kaloja kufirin dhe të humbisja gjurmët. Jam penduar për krimin që bëra”, tha Odise Verbofshi para oficerëve të policisë kriminale të Korçës. Në orët e pasdites së djeshme 32-vjeçari u nis nën masa të rrepta sigurie drejt Drejtorisë së Policisë së Durrësit e cila ka në juridiksion vendin ku ndodhi krimi.

“Me viktimat isha shokë. I njihja prej kohësh dhe nuk kisha asnjë plan t’i vrisja. Krimin nuk e kisha menduar kurrë por gjithçka ndodhi brenda pak sekondash pasi ata më rrahën për lekët e drogës” ka deklaruar para grupit hetimor në policinë e Durrësit, i arrestuati Odise Verbofshi.

Burime nga policia thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se i dyshuari për vrasjen e Shaban Babasit, 27 vjeç dhe Albert Kasallës, 32 vjeç, ka deklaruar se gjithçka ndodhi pas konfliktit për drogën. “Para disa ditësh, dy djemtë më sollën në banesën time në Shkozet, një sasi lënde narkotike. Unë nuk ua dhashë para pasi nuk kisha për momentin. Ata erdhën sërish ditën e krimit dhe më kërkuan paratë por unë nuk kisha ndaj nuk u kërkova të më linin disa ditë afat. Mes nesh nisi një keqkuptim për paratë dhe ata u ngritën duke më goditur me grushte e shkelma. Në këtë moment rrëmbeva pistoletën dhe i qëllova të dy” mësohet të ketë thënë më tej Verbofshi.

Burimet policore thanë se sherri dyshohet të ketë nisur për para e lëndës narkotike prej 74 kg e gjetur në banesën e autorit të dyshuar. Sipas policisë në momentin e arrestimit, 32-vjeçari çalonte. Ai ka thënë se çalon për shkak se u godit nga viktimat, ndërkohë që policia dyshon se ai mund të ketë marrë plagë edhe gjatë arratisjes. Në bazë të dëshmisë së dhënë nga Verbofshi ngjarja ka ndodhur rreth tre orë para se automjeti të konstatohej në flakë.

Ai deklaroi se pas krimit kishte telefonuar të afërmin e bashkëshortes së tij, Gazep Pilin duke i kërkuar një bidon me benzinë, pasi sipas tij e kishte lënë makina në rrugë. 20-vjeçarin e kanë regjistruar kamerat e sigurisë teksa mbushte bidonin në një karburant dhe për këtë arsye akuzohet si bashkëpunëtor. Ditën e ngjarjes, 20 shkurt, Verbofshi kishte dërguar bashkëshorten së bashku me djalin në banesën e familjarëve të saj.

Ndërkohë që hetimi i ngjarjes është marrë nga oficerët e policisë së Krimeve të Rënda të cilët kanë marrë në pyetje deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, autorin e dyshuar. Burime nga policia thanë se nga hetimet e kryera dyshohet se Verbofshi dhe viktimat njiheshin prej kohësh. Ata bashkëpunonin në shpërndarjen e lëndëve narkotike.

Familjarët e viktimave kanë deklaruar se djemte nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë konflikt. Sipas tyre ata punonin ndershmërisht. Gjithçka ndodhi dy net më parë në Shkozet të Durrësit kur Odise Verbofshi dyshohet se vrau me armë shtetasit Shaban Babasi, 27 vjeç dhe Albert Kasalla, 32 vjeç. Autori transportoi trupat me automjet në pranë ish-kënetës në Durrës ku dhe i dogji duke i vënë flakën automjetit.  
 
Shkrimi u publikua sot (23.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)