TIRANE - “Nuk përben rrezikshmëri të lartë shoqërore” . Ky është konkluzioni me të cilin më 13 janar të këtij viti Gjyakta e Apelit në Vlorë la të lirë Arben Muhajn, 53-vjeçari i cili vetëm 5 ditë më pas dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, 51-vjeçaren Teuta Muhaj.

Teksa vrasja u pasua me akuza kryesisht ndaj vendimeve që japin Gjykatat, televizioni A1 Report disponon vendimin e zbardhur të Gjykatës së Apelit të qytetit bregdetar i dhënë 5 ditë para ngjarjes tragjike që ndodhi në lagjen Sheq të Fierit.

Më 17 maj të vitit 2014 Arben Muhaj u dënua nga Gjykata e Fierit me tre vite burg për plagosje dhe nga këto, me një vendim të Apelit të Vlorës bëri vetëm 8 muaj burg. Gjykata e Vlorës e liroi atë me kushtin e vetëm që në harkun kohor të tre viteve të mos kryente asnjë vepër penale. 

Neni 59 i Kodit Penal i cili thotë: "Për shkak të rrezikshmërisë së paktë të personit, moshës, kushteve shëndetësore apo mendore, mënyrës së jetesës dhe të nevojave, veçanërisht atyre që lidhen me familjen, shkollimin ose punën, si dhe të sjelljes pas kryerjes së veprës penale, gjykata, kur jep dënim me burg deri në pesë vjet, mund të urdhërojë që i dënuari të mbajë kontakte me shërbimin e provës dhe të vihet në provë, duke pezulluar ekzekutimin e dënimit, me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryejë vepër tjetër penale”, ka rezultuar deçiziv në vendimin e treshes gjykuese të përbërë nga gjyqtarët Petrit Aliaj, Vasil Hanxhari dhe Sokol Ngresi, i cili ishte edhe relator i çështjes. Sakaq prokurori i çështjes Enrik Haxhiraj kërkoi që të mbetej në fuqi dënimi prej tre vitesh dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Fier.

Gjyqtari Sokol Ngresi u dekretua nga presidenti Bujar Nishani për anëtar në Gjykatën e Lartë, ndërsa ky dekret u rrëzua nga parlamenti me 76 vota pro në 30 tetor të vitit 2014.

Në fund të seancës gjyqësore karshi Arben Muhajt treshja gjykuese vendosi lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Parë në Fier me ndryshim pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për pjesën e pavuajtur të tij, duke e vënë në provë të pandehurin për një periudhe 3-vjeçare, me kusht që brenda kësaj periudhe të mos kryejë vepër tjetër penale.

Më 12 mars të 2014-ës Arben Muhaj plagosi me armë të ftohtë Arben Sykajn në lagjen “Sheq” të qytetit të Fieri. Pas kësaj ai u prangos nga policia e Fierit dhe u dënua nga gjykata me tre vite burg.

Vetëm pesë ditë pasi u lirua nga burgu, 53-vjeçari Arben Muhaj dhunoi për vdekje bashkëshorten e tij, 51-vjeçaren Teuta Muhaj, ndërsa para policisë pohoi se këtë krim e kreu i nxitur nga xhelozia dhe dyshimi se bashkëshortja e tradhtonte.

PDF - Vendimi i Gjykatës për lirimin e Arben Muhaj

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)