DEA dhe policia shqiptare arrestojnë dy amerikanë, akuzohen për trafik droge
Ora 14:00 – Policia e Shtetit deklaratë për arrestimin e dy amerikanëve
Në operacionin e koduar “Sintetiku” i zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe DEA (Agjencia e antidrogës Amerikane) u arrestuan dy persona me shtetësi amerikane në pikën kufitare të Morinës në tentativë për tu larguar nga Shqipëria.
Dy personat kishin ngritur një bazë në Tiranë ku përpunonin drogën sintetike. Gjatë deklaratës për shtyp kreu i Policisë Kriminale Eduard Merkaj tha se dy të arrestuarit janë Vincent (Dominic) De Caro dhe Arber Isaku, të dy 29-vjeçarë lindur dhe banues në New York.
Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë "Arrest me burg" për ta me akuzën e "Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope" vepër e kryer nëpërmjet ‘dark web’.
Dy personat ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ndërsa ishte zbuluar se ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.
Detaje nga operacioni
Pas marrjes së letër porosisë dhe vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e saj, Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, pas 1 muaj hetimi në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n arriti të zbulojë bazën ku fshiheshin 2 personat. Gjatë kontrollit në bazë u gjetën dhe u sekuestruan mjetet që do të shërbenin për përgatitjen e drograve sintetike si edhe një numër i madh pajisjesh elektronike.
Dy amerikanët u mbajtën nën vëzhgim nga agjentët e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe u arrestuan në Morinë, në tentativë për t'u larguar nga Shqipëria.
Në operacion kanë marrë pjesë edhe agjentë e DEA-s. Për arsye hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.
Ora 14:40 - Çfarë u gjet në apartamentin ku do prodhonin drogë sintetike dy amerikanët.
Policia e shtetit shpërndan video nga operacioni dhe kontrolli në bazën në Tiranë ku do amerikanët prodhonin drogën sintetike.
Në video shihet se policia ka gjetur një numër të madh mjetesh që shërbejnë për përgatitjen e drogës.
Çfarë është droga sintetike?
Droga sintetike është një substancë psikoaktive e sintetizuara kimikisht. Kjo lloj droge krijohet lehtësisht në laborator duke u nisur nga metanfetamina dhe substanca të tjera. Vitet e fundit i është kushtuar shumë vëmendje varësisë nga drogat sintetike duke qenë se përdorimi i tyre është përhapur me shpejtësi te të rinjtë.
Ashtu si kokaina, edhe kjo lloj droge ushtron një efekt simulant në sistemin nervor qendror. Efekt i kësaj droge është përmirësimi i gjendjes shpirtërore, zvogëlim i ndjesisë së lodhjes dhe i oreksit. Por në momentin që përfundojnë efektet fillestare simulante, del në pah depresioni, lodhja dhe ankthi. Drogat sintetike mund të çojnë drejt vdekjes.
(26/09/2018)
(26/09/2018)