Kunati i 'Babales' në Prokurori: Imitova Agron Xhafajn, do na jepte 200 mijë € deputeti Salianji

Ora 19:30 (08 tetor) - Report TV zbulon ekskluzivisht detaje të reja nga dosja hetimore "Babale 1". Në dosjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se Fredi Alizoti, kunati i Albert Veliut i quajtur ndryshe "Babale" ka pranuar në Prokurori se ka imituar zërin e Agron Xhafajt dhe për këtë shërbim ai sëbashku me 'Babalen' do paguheshin 200 mijë euro nga deputeti i PD, Ervin Salianji. Alizoti ka deklaruar se ka qenë ide e Albert Veliut që në tetor-nëntor 2017 për të përgjuar vëllain e ministrit të Brendshëm, por s'po ia arrinte dot, pasi Agron Xhafaj nuk e afronte.

 

Për t'i shkuar deri në fund qëllimit të tij, "Babalja" kishte një plan B, kunatin e tij, të cilin e ka testuar disa herë për të bërë zërin e Agron (Geron) Xhafajt. Për realizimin e skenarit protagonist ka qenë edhe gazetari Jetmir Olldashi. Pas bërjes publike të videopërgjimit, Albert Veliu largohet jashtë Shqipërisë, por Fredi Alizoti nuk merr asnjë lek nga ato që iu premtuan dhe akuzon Babalen se i ka marrë paratë të gjitha për vete. Gjithashtu, Alizoti shton se këtë bisedë e ka bërë edhe me ish-policët në kohën e PD, Florenc Hoxhën dhe Erzen Breçanin.

Dëshmia e Fredi Alizotit në Prokurori ku pranon se imitoi Agron Xhafajn (Faqe 1 - 2) dhe
bisedat e përgjuara nga prokuroria ku Fredi Alizoti kërkon paratë për regjistrimin si Agron Xhafaj (Faqe 3-4)



Ora 21:20 (8 tetor) - Report TV ka siguruar aktekspertizën e Prokurorisë për dosjen "Babale", ku thuhet se audiopërgjimi ku pretendohet se është Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk është origjinal. Report Tv publikoi pjesë edhe nga përgjimet e prokurorisë ku del në pah se gjithçka në adresë të Agron Xhafajt ka qenë e inskenuar nga protagonistët Albert Veliu dhe kunati i tij, Fredi Alizoti i cili ka imituar zërin e vëllait të ministrit. Sipas përgjimeve rezulton se Babales dhe Alizotit i ishin premtuar nga 100 mijë euro secilit për realizimin e audiopërgjimit.

Në akt-ekspertizën e Prokurorisë thuhet se regjistrimet e zërave nuk janë origjinale, pasi ka prerje, mbivendosje, montazhe apo dhe ndërhyrje. Bazuar tek ekspertiza, në bisedën e parë kuptohet se kush është ‘bashkëpunëtori”, pra zëri i Albert Veliut, por nuk arrihet të kuptohet zëri se kush është në të vërtetë ‘Agroni’. 

Ora 07:00  (9 tetor) - Ekskluzive/ Breçani fundos ‘Babalen’: Alizoti më rrëfeu se biseda ishte e sajuar

Një nga dëshmitarët që dekonspiron skenarin “Babale” është edhe ish-drejtuesi i lartë i policisë në kohën e qeverisjes Berisha, Erzen Breçani. Shqiptarja.com zbardh ekskluzivisht përgjimet e bisedës telefonike mes ish-zv.drejtorit të policisë së Tiranës Erzen Breçani dhe kunatit të Babales, Fredi Alizoti si dhe konfirmimin që i ka bërë kësaj bisede në prokurori, vetë Erzen Breçani. Ky i fundit është telefonuar nga Fredi Alizoti duke i shpjeguar se ai përgjim ka qenë i sajuar dhe fals, por në mënyrë që ai të mos fliste duhet të bëhej pagesa e premtuar sipas tij nga Salianji. 

Nga ana tjetër Breçani i ka pohuar se nuk bëhen këto punë, duke marrë në qafë njerëz kot dhe për të përfituar azilin jashtë shtetit. Biseda është përgjuar në 29 maj 2018 mes Breçanit dhe Alizotit, ku ky i fundit tregon se ka bërë zërin e Agron Xhafajt. Ndërkohë një ditë më vonë  Alizoti është lidhur në telefon me drejtorin e Policisë Qarkut Fier, duke treguar të gjithë të vërtetën. Pra nga ana e Alizotit ka pasur një vullnet të plotë për të treguar të vërtetën e kësaj historie, i zhgënjyer nga fakti që ‘Babale’ nuk i kishte paguar 100.000 euro të premtuara.

 

Ora 07:20 (9 tetor) - Babalja takoi në fillim Salianjin dhe më pas gazetarin Olldashi

Nga dokumenti i prokurorisë del se pas analizës që i janë bërë tabulateve telefonike rezulton se Babalja ka takuar në fillim deputetin e PD-së Ervin Salianji dhe vetëm një ditë më vonë gazetarin Jetmir Olldashi. “Referuar analizës së tabulateve telefonike shtetasi Albert Veliu ka kontaktuar për herë të parë me shtetasin Ervin Salianji në datën 20.10.2017 ndërsa me shtetasin Jetmir Olldashi në datë 21.10.2017”, thuhet në pikën r) të kërkesës së prokurorisë drejtuar gjykatës për masën e sigurimit. Pra kështu rrëzohet versioni i dhënë nga gazetari Olldashi se ishte ai që e çoi Albert Veliun tek PD-ja sepse kishte frikë ngaqë në audio-përgjim përfshihej vëllai i ministrit të Brendshëm.

Ora 11:40 - Rama: Konspiracion për rrëzimin e qeverisë, skenari u përgatit në dy skuta shtetërore

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar sot se do të dalin të gjithë emrat që janë të përfshirë në dosjen ‘Babale’, e cili rezultoi montazh dhe që prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Albert Veliun dhe kunatin e tij Fredi Alizoti, i cili nga përgjimet e zbardhura nga Report Tv ka pranuar se do të merrnin 200 mijë euro nga PD.

Në përgjimet e zbardhura nga Report Tv zbulohet se Albert Veliu ka takuar në fillim deputetin e PD-së Ervin Salianji. I pyetur nga Report Tv nëse ka deputetë nga opozita që meritojnë të përballen me akuza penale për dosjen ‘Babale 1’, Rama tha se i di të gjitha dhe pret që të dalë e vërteta e plotë. Gjithashtu shefi i qeverisë akuzoi se skenari për ketë konspiracion për rrëzimin e qeverisë u përgatit në dy skuta shtetërore, por nuk pranoi që të përgjigjej kur u pyet sërish nga Report Tv nëse njëra nga këto ishte SHISH.

Ora 13:20 - Krimet e Rënda lënë në fuqi masat për Jetmir Olldashin dhe Fredi Alizotin

Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në fuqi masat “arrest me burg” për Fredi Alizotin dhe  “detyrim paraqitje” për Jetmir Olldashin.  Gjatë seancës, avokati i gazetarit Jetmir Olldashi, Çlirim Gjata,  ka kërkuar që Krimet të shpallin moskompetencë për çështjen, kërkesë e cila u rrëzua nga gjyqtarja Liljana Baku. Ndër të tjera Çlirim Gjata deklaroi se: “Nëse procedura e marrjes së kampionit të zërit nuk është e rregullit, bie prova”.

 Ndërsa Alizoti nuk dha asnjë shpjegim përballë trupës gjykuese, duke u shprehur se i qëndronte deklarimeve që kishte dhënë.

Ora 14:00 - Zbulohet roli i SHISH, ‘gazetari’ Jetmir Olldashi ka punuar si agjent
Dosja “Babale” e përgatitur nga ana e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që ditët e fundit ka urdhëruar arrestimin e Albert Veliut dhe kunatit të tij Fredi Alizoti, hedh dritë të re mbi figurën e Jetmir Olldashit, të ashtuquajturit gazetar investigativ të scoop-it të rremë, për të cilin Gjykata ka vendosur “detyrim paraqitje”. Por nxjerr në pah edhe rolin e ish-drejtorin e SHISH-it Visho Ajazi. Sipas dosjes, që Report TV ka mundur të lexojë, del se Olldashi ka luajtur një rol të dyfishtë: bashkëpunëtor i Partisë Demokratike, por edhe bashkëpunëtor i SHISH-it në kohën e Visho Ajazit

 

Ne fakt një pjesë e regjistrimeve të kryera me personazhet e kësaj dosje janë kryer nga SHISH: kjo e konfirmuar si nga agjencia ligjzbatuese por edhe nga vetë Albert Veliu, “Babalja”. Albert Veliu, ka deklaruar para hetuesve se ka ardhur në Tiranë për tu takuar me agjentë të SHISH, për të goditur “Agronin” me të cilin kishte një inat të vjetër, por sipas të gjitha deklarimeve dhe provave, punonjësi i SHISH me të cilin ka kontaktuar Babalja është Jetmir Olldashi.

(09/10/2018)