RENEA zbarkon në Shkodër, arreston 4 "të fortët" në Dobraç e Kiras

(03/09/2018)

3 Shtator, ora 20:00 - FNSH aksion në lagjen Rus pranë Dobraçit

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ishin të parat që nisën aksionin në lagjen Rus pranë Dobraçit pas denoncimeve nga kreu i PD Basha se zona kishte dalë jashtë kontrollit. 

FNSH në qarkun e Shkodrës aksion pas ngjarjeve të fundit kriminale në këtë qark ku janë ekzekutuar 8 persona nga fillimi i këtij viti. 

Ditën e shtunë (1 Shtator) në periferi të qytetit u vra biznesmeni Arjan Ferracaku, ndërsa në dy muajt e fundit në total janë 6 viktima dhe 2 të zhdukur. Ministri i Brendshëm Xhafaj paralajmëroi nga foltorja e Kuvendit se në vjeshtë do të goditen bandat.

(05/09/2018)

5 shtator, ora 05:00 - Forcat speciale RENEA mbërrijnë në Dobraç, Shkodër

Njësia Speciale RENEA nisi kontrollet në lagjet Dobraç dhe Kiras të Shkodrës mëngjesin e sotëm. Snajperë dhe efektivë të shumtë me makina të blinduara ndodhen në këto dy lagje për të bërë kontrolle pas vrasjeve të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në këtë qark. 

Ora 13:00 - Korrespondenti i Report TV: Janë shoqëruar disa persona, nuk dihet nëse janë autorë të dyshuar

Korrespondenti i Report TV për Shkodrën Ergys Kavaja raporton live nga zona ku RENEA po zhvillon aksionin. Gazetari raporton se janë shoqëruar disa persona, por s’ka të dhëna nëse mes tyre janë edhe autorët e dyshuar të vrasjeve të fundit në Shkodër. 

 

5 shtator, ora 15:00 - Aksioni i RENEA-s, sekuestrohen 6 automjete të blinduara

Disa orë pasi zbarkuan në lagjen Dobraç, efektivët e RENEA-s kanë sekuestruar 6 automjete luksoze të blinduara. Makinat e blinduara janë në përdorim të familjeve Lici dhe Bajri. Siç duket edhe në pamjet e siguruara nga Report Tv, 6 automjetet e sekuestruara janë 'Benz Rexhina', 'BMW Seria 7', në pronësi të Licajve dhe mjete luksoze tip 'Audi' të familjes Bajri.

Automjetet e blinduara janë vendosur në Policinë e Shkodrës.

 

Media belge "La Dernier Heure" para pak kohësh i dedikoi një shkrim të shumëkërkuarit të drejtësisë shqiptare Safet Bajrit, i cili sipas raportimeve është i lirë në Shkodër edhe pse është i dënuar me vendim të formës së prerë nga drejtësia belge me 9 vite burg. Safet Bajri është akuzuar për lidhje me deputetë të qeverisë e të opozitës, megjithëse asgjë nuk është zbardhur plotësisht. Ndërsa familja Lici, e akuzuar si e përfshirë në disa ngjarje kriminale që kanë rezultuar edhe në vdekjen e anëtarëve të kësaj familje. Liçët dyshohen si të përfshirë në një histori gjakmarrje dhe një kalvar vrasjesh të ndodhura vite më parë.

Ora 20:00 - Forcat e RENEA-s largohen nga Shkodra 

Rreth orës 20:00 të mbrëmjes, 15 orë pas zbarkimit në qarkun e Shkodrës njësia speciale RENEA largohet. 

Largimi i efektivëve të RENEA-s pas shoqërimit të disa personave në lagjen Dobraç dhe sekuestrimit të 6 automjeteve të blindura. Personat e ndaluar dhe makinat ndodhet në komisariatin e Shkodrës. 

(06/09/2018)

Ora 10:15 (6 shtator) - Policia publikon emrat e 4 të arrestuarve

Një ditë pas aksionit të njësisë RENEA në lagjet Dobraç e Kiras, Policia e Shtetit në një deklaratë për mediat ka bërë publike të dhëna të tjera për operacionin dhe emrat e 4 të arrestuarve.
Operacioni i ndërmarrë pas vrasjeve të njëpasnjëshme në qytetin e Shkodrës.

Policia thotë se ka mbledhur të dhëna në rrugë informative për ta, por edhe i ka përgjuar për të arritur në konkluzionin që ishin pjesë e klaneve kriminale që vepronin në këtë qytet.

Mes të arrestuarve rezulton të jetë një person i fisit Bajri, Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër, i njohur për disa vepra kriminale. Po ashtu edhe Astmer Bilalit, 29-vjeç ish-kampion boksi, emri i të cilit u përmend një natë më parë nga gazetari Artan Hoxha. Hoxha tha se dyshohet që  Bilali të ketë qënë shënjestra e sulmit ku mbeti i vrarë biznesmeni Arjan Ferracaku.

Të arrestuar

Ilir Rustemi (Bajri) 42 vjeç, banues në DobraçEmrah Plaku 22 vjeç, banues në ShkodërAstmer Bilali 29 vjeç, banues në ShkodërErogen Brajoviç 36 vjeç, banues në Shkodër.

 

Sipas njoftimit të policisë arrestimi i pjestarëve të grupeve kriminale në Shkodër bëhet në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Gjatë aksionit u sekuestruan 3 armë zjarri, 6 makina të blinduara, 10 mijë e 500 euro dhe 2 veshje antiplumb.

Mes të arrestuarve shënjestra e atentatit në Shkodër, ish-kampioni i boksit Astmer Bilali

Emri i Astmer Bilalit 29 vjeçarit të arrestuar gjatë aksionit të RENEA-s u përmend mbrëmë nga gazetari i ‘Report Tv’, Artan Hoxha. I ftuar në emisionin Repolitix, Hoxha tha se ishte pikërisht ky person shënjestra e vrasjes së 1 shtatorit, ku mbeti i vrarë biznesmeni Arjan Ferracaku. Sipas Hoxhës Bilali, një ish-kampion boksi ishte mik i ngushtë i viktimës dhe ditën e vrasjes po kalëronin të dy.

Astmer Bilali njihet edhe për precedentët penalë të mëparëshëm në policinë e Shkodrës, si i dyshuari kryesor për plagosjen e Hermes Beqirit në një nga lokalet e qytetit.