/ATSH-AFP/ - Më shumë se 1 800 imigrantë u shpëtuan dhe 13 të tjerë u gjetën të vdekur në bordin e një barke gjatë pesë operacioneve të realizuara në detin mes Italisë dhe Afrikës së Veriut, theksuan sot rojat bregdetare italiane.
"Ne kemi koordinuar pesë ndërhyrje të ndryshme, në kuadër të operacionit evropian "Triton" dhe 1 810 persona janë shpëtuar ndërkohë që 13 trupa janë gjetur", theksoi një zëdhënës i rojave bregdetare.
13 trupa, shkaku i vdekjes të të cilëve ende nuk dihet, u gjetën në bordin e një barke me 522 persona, sipas të njëjtit burim.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Ndërkombëtare për imigracionin, më shumë se 150 000 imigrantë kanë mbërritur në Evropë nëpërmjet detit që prej fillimit të vitit.