Në Shqipëri gjatë këtij viti janë diagnostikuar 125 raste të reja me Hiv/Aids, duke e çuar në 1973 raste, numrin e përgjithshëm që nga viti 1993 kur u konstatua rasti i parë. Gjatë këtij viti 15 të infektuar humbën jetën. Ndërsa u verifikua një tjetër rast i transmetimit nga nëna te fëmija.

***

Grupmosha nga 25 deri 44 vjeç rezulton të jetë më e prekura, me më shumë se gjysmën e rasteve të diagnostikuara.

Shpërndarja sipas grupmoshave
·35–44 vjeç: 27.8%
·25–34 vjeç: 26.9%
·45–54 vjeç: 17.8%
·16–24 vjeç: 9.7%
·55–64 vjeç: 11.3%
·0–15 vjeç: 2.9%
·65+ vjeç: 2.8%

Sa i përket gjinisë, dominojnë meshkujt me 73 përqind të rasteve. E njejta situatë paraqitet dhe gjatë 2025-ës me 98 meshkuj dhe 27 femra.

Shpërndarja sipas gjinisë
Në totalin e rasteve 1993–2025:
·73% meshkuj
· 27% femra (531 raste)
Në vitin 2025:
·98 meshkuj
· 27 femra
Raporti meshkuj–femra: 3.5 : 1

Transmetimi përmes rrugës seksuale është arsyeja kryesore e infektimit në 96 përqind të rasteve, ku dominojnë me 72.6 përqind marrëdhëniet heteroseksuale, ndërsa 23.4 përqind marrëdhëniet homoseksuale te meshkujt.

Rrugët e transmetimit
·Transmetimi seksual mbetet rruga kryesore e përhapjes (72.6% heteroseksual).
·Meshkujt që kryejnë seks me meshkuj: 23.4%
·Transmetimi nga nëna te fëmija: 2.4% (1 rast në vitin 2025)
·Transmetimi nëpërmjet gjakut: 0.6%
·Përdorimi i drogave me injektim: 0.6%

Gjatë vitit 2025 u konstatua dhe 1 rast i transmetimit nga nëna te fëmija. Në total, që nga fillim vitet ’90, janë 58 raste fëmijësh të infektuar.

Deri më tani, në Shqipëri kanë humbur jetën 377 persona të prekur nga Hiv/Aids: 15 vetëm gjatë këtij nga të cilët 7 ishin mes rasteve të diagnostikuar rishtazi.

Aktualisht 963 persona marrin mjekim me AntiRetroViralë, mes të cilëve dhe 12 fëmijë.

Mesazhe parandalimi
Përdor prezervativ në çdo kontakt seksual me partner të panjohur!
Testohu pas çdo kontakti të pambrojtur!
Përdor shërbime të zvogëlimit të dëmit nëse përdor drogë me injektim.
Çdo grua shtatzënë duhet të testohet për HIV!
Testimi për HIV është falas, konfidencial dhe i aksesueshëm.
Nëse je diagnostikuar me HIV, fillo menjëherë trajtimin!
Trajtimi ofrohet falas pranë Shërbimit Infektiv dhe Pediatrisë infektive në QSUT.
OBSH rekomandon rrethprerjen mjekësore vullnetare të meshkujve për uljen e rrezikut.
Stigma pengon testimin dhe trajtimin - informacioni i saktë dhe respekti janë kyçe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:57
Dita Botërore kundër HIV/AIDS, mjekët: Një sindromë madhore, bëni teste për parandalimin e hershëm! Më të prekurit grupmoshat mbi 14-vjeç

 

Në ditën Botërore kundër HIV/AIDS, mjekët bëjnë apel që qytetarët të bëjnë teste për parandalimin dhe trajtimin e hershëm së saj, duke qenë se ende nuk ka një vaksinë.

Mjekja infeksioniste, Esmeralda Meta thotë se më të prekurit nga kjo sëmundje infektive janë grupmoshat mbi 14-vjeç.

"HIV/AIDS është sindroma madhore, infektive që u bënë mbi tre dekada te ne. Është një sëmundje me pëshë. Më të prekurit janë adultët mbi 14 vjeç. Mesazhi i rëndësishëm është testimi nga grupmoshat e reja dhe grupeve në rrisk, gratë shtatzëna për trajtimin dhe parandalimin  e hershëm.

Testimi në Shqipëri është kudo, në spitale, në njësitë vendore të kujdesit shëndetësor. Më shumë të prekur janë meshkujt sesa femrat. Deri më tani nuk ka një vaksinë, ndaj këshillohet konsultimi me mjekët për parandalimin e saj", thotë mjekja Esmeralda Meta.