TIRANE- Të rinjtë e lëvizjes “Universiteti në Rrezik” kanë gjetur një mënyrë ironike si të protestojnë në këtë ditë, ku në mbarë botën kërkohen më shumë të drejta. Krahas parullave “Sot student, nesër i papunë”, binte në sy një tjetër parullë e madhe “Çiljeta, është opium për popullin”. Dhe si për të sqaruar domet¬hënien e kësaj pankarta që ata kanë mbajtur në dorë, të rinjtë e kësaj lëvizjeje studentore thonë se ajo kishte si qëllim “Ç’Çiljetizimin e politikës shqiptare”. Studentët kanë qenë të parët që i janë bashkuar sindikatave të ndryshme në vend për të kërkuar më shumë të drejta.

SINDIKATAT
Por protesta edhe dje në vendin tonë ka qenë e ndarë. Dy grupimet më të mëdha sindikale ajo e Konfederatës së Sindikatave dhe Sindikata e Minatorëve kanë protestuar të ndara në bulevardin kryesor të Tiranës, para kryeministrisë. Para kryeministrisë ka protestuar fillimisht Konfederata e Sindikatave dhe kur sheshi është liruar vendin e ka zënë sindikata e Minatorëve. Protesta e Konfederatës së Sindikatave para kryeministrisë nisi në orën 10.00 sikurse dhe ishte parashikuar, ndërsa minatorët e kanë nisur protestën para Ministrisë së Punës dhe më pas është zhvendosur përpara kryeministrisë. Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolla tha se gjatë vitit të kaluar të paktën 40 punëtorë humbën jetën gjatë punës dhe askush nuk është dënuar. Ndërsa kreu i minatorëve, Fiqiri Xibri kërkoi që qeveri të vendosë minimumin jetik. Në të kundërt, ata paralajmëruan përshkallëzim të protestave. 100 metra nga ne qeveria përpiqet që edhe sot paturpësisht të sfidojë punëtorët me panaire e pazare për të punësuar 100 vetë në 1 vit. Kur në një ditë largohen 2000 vetë vetëm nga ristrukturimi dhe privatizimi i Alb Petrolit. Janë 40 jetë punëtorësh të humbura në krye të detyrës dhe nuk ka asnjë përgjegjës, qoftë dhe me masa administrative, jo më që të flitet për çështje penale”, - ka deklaruar Kol Nikolla, Kreu i Konfederatës së sindikatave. “Nuk mund të flasësh për asnjë lloj politike, sociale, apo zhvillim ekonomik në qoftë se nuk ke pikën e pastër të fillimit, e cila është minimumi jetik. Me këtë lloj politike që kemi në përgjithësi asgjë nuk ka që mund të bëj dobi përveç agresivitetit tonë, përveç dinjitetit tonë qytetar”, - tha Fiqiri Xibri, kreu i sindikatës së minatorëve. Ndërkohë që invalidët kanë paralajmëruar protesta më 3 maj, me rastin e vizitës së Stefan Fyle. “Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të Kufizuar me rastin e vizitës së Z.Stefan Fyle në Tiranë ka vendosur që të organizojë një prostestë me karakter sensibiluzues para Ministrisë së Integrimit me dt 3 maj, ora 11. Është përgjegjësi e politikës edhe institucioneve që ajo ka prodhuar që të kuptojnë se integrimi ynë fillon në Shqipëri edhe jo në Bruksel”, - kanë shpjeguar personat me aftësi të kufizuar në njoftimin e tyre. Por një maji ka pasur edhe ngjyra feste dje. Mjaft njerëz, kanë përfituar nga dita me diell, dhe kanë pushtuar jo vetëm kodrat e Liqenit Artificial, por edhe çdo hapësirë të gjelbërt të Tiranës. Disa kanë preferuar të pinë një kafe buzë liqenit, të tjerë kanë bërë një xhiro në këmbë, ka nga ata që kishin marrë edhe bukën me vete duke organizuar kështu një piknik me të afërmit e tyre.

(aq/shqiptarja.com)