Debate në komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat për dy TEC-et lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”, të ankoruara në Vlorë.
Deputeti i PD-së, Eno Bozdo, akuzoi qeverinë se po shpenzon miliona euro për mirëmbajtjen e dy anijeve 30-vjeçare, të cilat, sipas tij, vetëm ndotin dhe rëndojnë taksapaguesit. Ministri i Infrastrukturës, Enea Karakaçi, kundërshtoi akuzat, duke deklaruar se TEC-et kanë prodhuar energji dhe se nga shitja e saj janë fituar 31.5 milionë euro.
Në mbledhjen e sotme, Karakaçi prezantoi edhe projektbuxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2027, i cili parashikohet të jetë 75.45 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 68 miliardë lekë do të shkojnë për investime kapitale dhe 7.4 miliardë lekë për shpenzime korrente.
Sipas ministrit, 76% e financimit për vitin 2027 do të jetë i brendshëm dhe 24% i huaj. Ndër projektet kryesore që do të mbështeten janë Korridori 8 dhe Korridori Blu, si dhe investimet për mirëmbajtjen dhe sigurinë rrugore.
Debati i plotë në komision:
Bozdo: Tigri 1 dhe Tigri 3 vazhdojnë të rëndojnë taksapaguesit pa ofruar asgjë në këmbim. Ju fshini kontratat në emër të sekretit tregtar. Janë me qira apo të shitura? Janë rrangalla 30-vjeçare që vetëm ndotin. Keni mbyllur tenderin 20 milionë euro për mirëmbajtjen e ca rrangallave atje.
Karakaçi: Në 2026-ën, deri në fund të gushtit, kur kam shifrat, kanë prodhuar 121 mijë mega. Të diskutoni që kjo sasi prodhimi mjafton për një ditë apo një javë është interpretim keqdashës.
Bozdo: Pse keqdashës?
Karakaçi: Po ua jap shpjegimin.
Bozdo: Mos thoni keqdashës!
Karakaçi: Me kapacitet të instaluar 100 mega, nuk është qëllimi të furnizohet Shqipëria. Është kapacitet rezervë dhe i domosdoshëm. Çmimet sot janë 300 euro për mega për energjinë në këtë periudhë. Ato janë asete shtesë prodhimi kur çmimet e tregut janë të larta. 31.5 milionë euro kemi fituar deri më tani nga këto anije lundruese, nga shitja e energjisë së prodhuar.
Bozdo: Asnjë në botë nuk i pranon ato.
Karakaçi: Ka vende në botë sa të duash. Janë në pronësi të KESH dhe janë licencuar para dy ditësh edhe nga ERE. Janë asete të KESH. Ato shërbejnë në kohë të tilla kur çmimi i energjisë në bursë është mbi 300 euro dhe kështu do të vijojë përgjatë gjithë muajit.









Komente
Komento