PROCESI
Konkretisht, konkursi është i ndarë në lote: Koncerti në "Pallatin e Kongreseve" 49.5 milionë lekë pa TVSH; kncerti në "Sheshin Skënderbej" 10.28 milionë lekë pa TVSH dhe koncerti në Sheshin "Nënë Tereza" 62.5 milionë lekë pa TVSH.
Afati i fundit i paraqitjes dhe i hapjes së ofertave ishte dita e djeshme, datë 5 nëntor, ora 16.30, në Zyrën e Protokollit pranë ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Por, ministria nuk e kishte gjykuar të udhës ta shpallte më parë këtë tender, për t'u dhënë kohë operatorëve të ndryshëm të sektorit që të përgatitnin dokumentacionin e kërkuar. Në fakt, janë disa kushte, mosplotësimi i të cilave skualifikon nga gara, të cilat kërkojnë kohë të caktuar për t'u plotësuar.
"GARA"
Së pari, është vërtetimi nga Tatim-Taksat. Një ndër kërkesat për t'u cilësuar si operator të specializuar, para se të japësh ofertën, ishte kërkesa për paraqitjen e vërtetimit nga administrata tatimore se subjekti është në rregull me pagesat e taksave, në momentin kur ka parashtruar kërkesën. Së dyti, në shpalljen e ministrisë thuhet se kërkohet edhe dokumentacion ligjor, që të vërtetojë se subjekti i ka siguruar pajisjet e skenës për realizimin e koncertit, sipas specifikimeve të kërkuara. Tatimet kanë një administratë të avashtë, e cila kërkon kohë që të të japë një vërtetim çfarëdo, aq më tepër kur bëhet fjalë për subjekte të tilla. Në rast se shpallja e garës bëhet të enjten dhe zarfat hapen të hënën, koha nuk mund të jetë kurrë e mjaftueshme dhe në garë mund të paraqitet vetë ai apo ata subjekte, që e dinin më përpara një kërkesë të tillë dhe kanë patur kohën e mjaftueshme në dispozicion për ta siguruar dokumentacionin.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për listën e pajisjeve, që nuk janë të pakta, të cilat nevojiten për realizimin e koncerteve, me teknologji siç e kërkon koha. Sikur një pajisje të mungojë, nga e premtja deri të hënën vështirë të sigurohet. Kjo kërkesë e shpejtë favorizon gjithnjë subjekte që dinin më përpara se ç'do të kërkohej.
Ministria e Kulturës në këtë rast ka zbatuar kërkesat e Vendimit nr.709 të Këshillit të Ministrave "Për procedurat e financimit të projekteve dhe veprimtarive artistike e kulturore", i cili është marrë që më datë 24 tetor, duke patur kohën e duhur për ta shpallur garën. Duket se, me këtë procedurë, është tentuar të krijohet një fasadë krejtësisht ligjore, por, nga ana praktike, janë përjashtuar shumë operatorë të mundshëm, për të lejuar një ose disa, që plotësojnë disa kushte, për të cilët është rënë dakord më parë.
REAGON ZV MINISTRI
I pyetur nga Shqiptarja.com, zv.ministri Nikollë Lesi ka deklaruar: "Nuk kam asnjë dijeni si zv.ministër dhe asnjëherë nuk është diskutuar në mbledhjen e ministrit me zëvendësministrat një projekt i tillë. Nëse është kështu siç thoni ju - që përzgjedhja po bëhet me dyer të mbyllura - kjo është e patolerueshme. Gjithçka duhet të jetë e hapur, transparente para publikut e medias për konkurruesit që kanë marrë pjesë, nëse është bërë ky tenderim. Unë nuk jam anëtar i Komisionit e as nuk bëhem, por duhej të isha informuar patjetër se përse bëhej fjalë".
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)